Ndërpritet seanca, nesër vazhdon debati për punën dy vjeçare të qeverisë
BKT
Foto/ RTK
Lajme

Ndërpritet seanca, nesër vazhdon debati për punën dy vjeçare të qeverisë

A.B/ RTKlive

(E plotësuar, ora 18:55) Pas shumë orësh në Kuvendin e Kosovës, është ndërprerë debati ku është prezantuar puna dy vjeçare e qeverisë e Kosovës, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat e tij.

Pozita lavdëroi qeverinë e Kosovës, për punën që është bërë në këto dy vite, ndërsa opozita kritikoi qeverinë për mos arritje të objektivave.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca në fund tha se seanca e sotme do të vazhdojë të premten në ora 13:00.

Sveçla: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit nuk ka alternativë

(E plotësuar, ora 17:35) Po vazhdon debati në Kuvendin e Kosovës, ku diskutohet puna dy vjeçare e qeverisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot në Kuvendin e Kosovës, ka folur për të arriturat e qeverisë së Kosovës në dy vjetorin e punës.

Ai ka përmendur ligjin e pagave që sjellë barazi. Sipas tij, Policia e Kosovës është duke luftuar krimin dhe kontrabandën në Kosovë. Ai ka përmendur ndaljen e referendumin, stikersat, heqjen  e targave të Millosheviqit etj.  

“Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit nuk ka alternativë tjetër, përveç angazhimit maksimal në këtë drjetim”, tha ai. Ministri Sveçla tha se edhe pse janë tërhequr mbi 460 policë nga komuniteti serbë në Kosovë, nuk ka pasur vakum institucional.

Rashiq kërkon më shumë mbështetje nga qeveria për komunitetet

Ministri për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka prezantuar sot në dy vjetorin e punës.

Ai ka thënë se edhe pse ka disa muaj që është emëruar në këtë pozitë është munduar të punojë për komunitetet. Rashiq, ka kërkuar më shumë mbështetje ndaj komuniteteve, pasi që sipas tij ata janë të rëndësishëm në shoqërinë e Kosovës. Sipas ministrit që vjen nga komuniteti serb në vend, kjo ministri ka pasur suficit.

Rizvanolli: Edhe këtë vit do të vazhdojë mbështetja ndaj qytetarëve të Kosovës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur për dikasterin që ajo e udhëheq. Ajo ka përmendur të arriturat në fushën e energjisë. Ka përmendur mbështetjen e qeverisë së Kosovës, karshi qytetarëve në investimet për efiqiencë të energjisë. Rizvanolli ka përmendur se edhe këtë vit do të vazhdojë mbështetja ndaj qytetarëve të Kosovës, për energji.

Rexhepi: Heqja e sigurimit kufitar rriti bashkëpunimin Kosovë-Mali i Zi

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka folur për të arriturat e Qeverisë së Kosovës, duke përmendur edhe nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi për njohjen e policave kufitare mes dy vendeve.

“Njëra ndër të arriturat është heqja e Kartonit të Gjelbër me Malin e Zi, si rezultat i saj kemi lëvizje më të mirë në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, tha ajo sot në Kuvendin e Kosovës. Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, ka përmendur se ka pasur qindra takime që janë me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ajo ka përmendur edhe rezolutën që Kuvendi ka miratuar për Srebrenicën.

“Në dy vitet e kaluara kemi pasur nderin të merremi me avancim. Kemi arritur marrëveshje në rajon. Qëllimi jonë shtet çdo qytetarë të jetë i sigurt, pa marrë parasysh përkatësinë”, tha ajo.

Lushtaku: Kjo qeveri nuk ka vizion për zhvillim ekonomik.

Deputeti i Kuvendi të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Mergim Lushtaku ka kërkuar qeverinë për mos sjelljen e raportit të punës së qeverisë. Lushtaku foli për mungesën e një politike zhvillimore ekonomike në Kosovë. Ai ka thënë se kjo qeveri nuk ka vizion për zhvillim ekonomik. “Ekonomia nuk rritet me demagogji por me veprime konkrete”, tha ai.

Kurti: Në qeverisjen time është rritur ekonomia dhe luftuar krimi|Video

N.M/ RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, në seancën plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mbajti ekspozenë e tij, ku pasqyroi punën dyvjeçare të Qeverisë.

Ai, në pika të veçanta u ndal veçmas në ekonomi e në sundim të ligjit.

Për ekonominë e vendit, sikundër ceku ai, ka pasur rritje prej 10% të brutoproduktit vendor, “që është më e larta ne historinë e deritashme të vendit”, derisa vuri në dukje vështirësitë që ballafaqohej vendi, dhe jo vetëm, por i gjithë kontinenti si pasojë e luftës në Ukrainë, ekonomia përjetoi një rritje prej 4%, teksa shtoi se nëse merret mesatarja e dy viteve arrin në 7%, që është më e larta për dy vjet rresht, që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Kryeministri Kurti lidhur me këtë çështje, përmendi si argument rritjen e eksporteve, ku këtë vit do të ketë rritje mbi një miliard euro, dukuri që tregon, siç tha ai, rritjen e gjallërisë së ekonomisë  sonë, rritjen e mallrave e shërbimeve.

“Raporti eksport-import në vitet e mëparshme ishte 1-9, ndërsa sot është më pak se 1-6”, sqaroi kryeministri Kurti, teksa premtoi se ky trend do të përmirësohet edhe më tej.

Ai theksoi se investimet e huaja direkte janë dyfishuar dhe buxheti është rritur me 760 milionë euro për dy vjet qeverisje.

“Të bërit biznes kurrë nuk ka qenë më e leverdishme se sa tani”, deklaroi Kurti në ekspozeun e tij për qeverisjen dyvjeçare para deputetëve të Republikës së Kosovës.

Punësimi

Ai përmendi me këtë rast edhe rritjen e punësimit brenda kësaj kohe, ku sipas tij, mbi 34 mijë të punësuar janë më shumë se në vitet paraprake, ndërkohë që sa i përket punësimit të grave, është shtuar në mbi 50.3 % të rritjes së gjithmbarshme.

Tutje, Kurti përmendi programet sociale, mes tjerash, shtesat për lehona dhe për fëmijë, që, vuri në dukje ai, është zbatuar për herë të parë.

Veç kësaj, i pari i Qeverisë përmendi punësimin përmes programit “Superpuna” ku kanë përfituar të rinjtë nga mosha 18-25 vjeçare, me ç’rast janë punësuar 1500 të rinj dhe në programin "Qeveria për Familjen” janë punësuar, së paku, një anëtar për familje, ku prej 1500 familje që kanë përfituar nga kjo skemë, në mesin e tyre janë mbi 600 gra që janë punësuar.

Drejtësia

Kryeministri Kurti foli edhe për drejtësinë në vend, ku siç tha ai, në Kuvend është miratuar "Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme" e që, sipas tij, përfitimi i padrejtë duhet të konfiskohet.

Pos kësaj, Kurti  vuri në dukej edhe procesin e “Vetting-ut”, derisa përmendi Gjykatën Komerciale, “që do t'u lehtësojë bizneseve dhe ndërmarrjeve që veprojnë në Kosovë; është forcuar sundimi i ligjit, duke luftuar korrupsionin, ku me kontributin e policëve dhe qytetarëve janë bërë mbi 850 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës."

Po ashtu, ai tha se janë arrestuar mbi 320 veta, ku prej tyre janë mbi 300 zyrtarë publikë, derisa shtoi se në veri të vendit janë mbyllur 16 rrugë ilegale që janë shfrytëzuar për trafikim ilegal e kontrabandë, si dhe janë shkatërruar dhjetëra grupe kriminale me pjesëtarë të të gjitha etnive, teksa janë konfiskuar mbi 2 ton substanca narkotike, teksa janë shkatërruar 14 laboratorë të drogës, ku 8 prej tyre në veri të vendit, pastaj laboratorë të kriptovalutave, si dhe 40 km rrugë te asfaltuar.

"Tani kemi 7 stacione policore me njësite të ndërhyrjes së shpejtë dhe të vijës së gjelbër të kufirit, si dhe 4 objekte të stacioneve policore në veri të vendit, që kontribuojnë në mirëqenien e sigurisë së  asaj zone, si dhe në luftimin e krimit të organizuar", vuri në pah kryeministri Kurti.

Në suksesin e qeverisjes së tij, Kurti përmendi raportet ndërkombëtare, si fjala vjen, atë të BE-së, TI-së, Reporterët pa Kufij, FMN, WJP,etj.  

Gashi: Kryeministri arriti një marrëveshje të dëmshme për vendin

(E plotësuar) Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës i tha kryeministrit Albi Kurti se po themelon autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe, që është shkelja më e rëndë që u bëhet qytetarëve të Kosovës, Kushtetutës dhe vullnetit politik të shprehur në vend.

Gashi tha se miratimi i ligjeve anti-kushtetues siç është ligji për prokurorinë, është përgjegjësi dhe dështim i juaji.

Gashi ia përmendi Kurtit deklaratat e tij se nuk do të dialogojë me Serbinë pa kërkimfalje, pa u përgjigjur për të pagjeturit. Kryeministri Kurti, sipas Gashit, arriti një marrëveshje të dëmshme për vendin.

“Tash po e themeloni asociacionin në kundërshtim me Kushtetutën dhe po shkoni përtej asaj çka është dialoguar dhe arritur ndonjëherë, ju zoti kryeministër po themeloni autonominë territoriale për komunat me shumicë serbe”, tha Gashi.

Kjo autonomi territoriale dhe vetëqeverisëse për komunat me shumicë serbe, e paraparë në nenin 7 të marrëveshjes, sipas deputetit Gashi, është shkelja më e rëndë që u bëhet qytetarëve të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës dhe vullnetit politik të shprehur më parë në vend.

Gashi i përmendi kryeministrit Kurti edhe zotimet e tij për reciprocitet me Serbinë edhe rritjen e tatimit për qytetarët.

Krasniqi: Kosova po shpopullohet, 147 persona në ditë e lëshojnë atë

(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se fytyra e vërtetë e Qeverisë Kurti përgjatë dy viteve është shpopullimi i vendit.

“Përgjatë dy viteve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën, për të kërkuar një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht, mbi 1000 qytetarë në javë. Pra, gjatë 2 viteve të qeverisjes suaj, 107,310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova. Jo si turistë, po si mërgimtarë që kanë humbur shpresën e besimin në perspektivën që mund ta ofrojë shteti jonë; të reja e të rinj, vet e me familje; nga fshati e nga qyteti; nga çdo cep i Kosovës; të papunë e të punësuar; mjekë e mësimdhënës; infermierë e arkitektë; inxhinierë e bankerë. Nga çdo kategori sociale”, tha kreu i PDK-së.

Krasniqi e ftoi kryeministrin Kurti t’u shpjegojë rreth 100 mijë familjeve, të cilave ju kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes së tij, se çfarë suksesesh ka arritur për këto dy vite.

“Kosova po zbrazet. Vendi ynë po shpopullohet. Familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde, kryeministër. Ky migrim i paprecedent flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çkado që flet sot Kryeministër, nuk e ka asnjë vlerë. Mos u merr me neve këtu në Kuvend. Tregoju atyre rreth 100 mijë familjeve që ju kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes tënde se çfarë suksese ke arritur me qeverisjen e sa mirë ua ke përmirësuar jetën”, tha Krasniqi.

Haradinaj: Qeveria Kurti ka synim varfërimin e qytetarit të Kosovës

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i tha kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se nuk ka lënë asnjë bord të një kompanie publike pa e kapur. Haradinaj i quajti gënjeshtra gjitha sukseset ekonomike të paraqitura nga ana e kryeministrit Kurti.

“ Çka është më mirë në këtë Kosovën tënde të lutem?! Prej kur ke ardhur ti nuk po shoh se dikush ka pa hajr prej teje. Nuk e di që një profesionist i një sektori që të ka pa hajrin. Prandaj edhe unë po të them: Shko Albin se nuk po qet asgjë në dritë në Kosovë! Veç nuk mundem më të thënë shko ku janë ata, por shko ku të dushë ti, veç shko”, tha ai.

Haradinaj tha se për shkak të moszbatimit të ligjit, buxheti nuk ka shkuar atje ku është paraparë, “800 milionë të buxhetit nuk kanë shkuar atje ku duhet”.

Ai kërkon llogari e përgjegjësi për atë se ku ka shkuar buxheti, që, sipas tij, nuk ka shkuar atje ku duhet dhe ashtu si është votuar nga shumica e deputetëve. “A është sukses t'u merren komunave paratë e buxhetit ”, pyet me Haradinaj. Mirëqenia e qytetarëve, sipas tij, po bie dhe vendi po varfërohet dhe se ky është synim i kësaj qeverie, që qytetarin ta mbajë me lëmoshë dhe t'i bëjë të varur.

Haradinaj pati kritika ndaj qeverisë edhe për pagat e policëve, mjekëve, ushtarëve e AKI-së, të cilat, sipas tij, në këto dy vite nuk u janë rritur fare pagat nga Qeveria Kurti.

“Pse i vetmi ushtar që s’ka rritje rroge në më shumë se 2 vjet qeverisje, është ai i Kosovës. Pse nuk i rritet rroga doganierit, AKI-së, e pse ua ke marrë inati mësuesve që për 50 euro i ke mbajtur shkollat mbyllur”, tha Haradinaj.

 

Muja: Buxhetit të Kosovës po i shtohen nga 400 milionë në vit

(E plotësuar) Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në seancën e Kuvendit foli për rezultatet e Qeverisë Kurti gjatë këtyre dy viteve.

Edhe Muja, sikurse edhe parafolësi i tij, kryeministri Albin Kurti, numëroi raportet pozitive, të disa institucioneve ndërkombëtare, si atë të UNDP-së, të Transparency International dhe disa institucioneve tjera.

Ai foli për ndihmën nga diasporta, investimet në vend, si dhe për eksportimin e mallrave.

“Investimet private janë rritur nga 1.8 miliard dinarë në 2.6 miliardë në vitin 2022. Ndërmarrjet publike, kanë pas një sëmundje dhe kanë punuar me humbje, tani kanë një ngritje, si “Posta dhe Telekomi i Kosovës” dhe “Trepça” të cilat që nga viti 2014 kanë punuar me humbje.

“Kjo rritje ka rezultuar me rritje të buxheti, tani çdo vit këtij buxheti i shtohen nga 400 milionë derisa në kohën kur opozita ishte në pushtet rritja ishte 40 milionë euro”, tha Muja.

 

Live|Kurti: Ofrojmë kushtet për mbajtje të zgjedhjeve në veri të vendit

(E Plotësuar) Kryeministri Albin Kurti, në pyetjen e deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, lidhur me gjendjen në veri të vendit, si dhe me zgjedhjet lokale atje, deklaroi se Qeveria e Kosovës në procese zgjedhore është në shërbim të KQZ-së dhe, kësisoj, ne i përgjigjemi kërkesave të tyre.

Ai, ndër të tjera, shtoi se konform obligimeve janë marrë veprime të duhura në mbështetje të KQZ-së, janë vënë në dispozicion mekanizmat institucionalë dhe burime të nevojshme në përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve në 4 komunat në veri të vendit.

“Aktualisht institucionet përgjegjëse janë në koordinim të vazhdueshëm me KQZ-në për të përmbushur kërkesat që dalin nga ky proces. Kështu, nëpërmjet Ministrisë së Financave të Punës e Transfereve janë ndarë mjetet buxhetore për organizmin e zgjedhjeve, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme ajo e Pushtetit Lokal  dhe ajo e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, janë angazhuara sipas fushëveprimit të tyre në ofrimin e kushteve të nevojshme të sigurisë, atyre administrative e infrastrukturore, për të mundësuar mbarëvajtjen e organizmit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së”, deklaroi kryeministri Kurti.

Më tej, ai shtoi se pluralizmi politik dhe e drejta e votimit të  lirshëm e pa pengesa e komuniteti serb janë të domosdoshme, derisa shtoi se kushdo që cenon këtë të drejtë do të ndeshet me forcën e ligjit nga institucionet tona.

 

Murati: Ne po e zbatojmë ligjin, që e ka amendamentua LDK

(E plotësuar) Lidhur me deklaratën e deputetit Besnik Tahiri, reagoi ministri Hekuran Murati.

Ai theksoi çështja e të hyrave vetanake, rregullohet me ligjin për menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, ku thuhet që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunës në vitin paraprak, barten në vitin vijues, që është në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Ne po e zbatojmë ligjin, që e ka amendamentua Lidhja Demokratike e Kosovës, asgjë më tepër.

(E plotësuar)Tahiri: Ndalja e shpenzimit të të hyrave vetanake të komunave, antikushtetuese

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili kritikoi qasjen e ministrit të Financave të Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ndaj buxhetit, konkretisht për nenin 9.6, ku është trajtuar në dhjetorin e vitit të kaluar e që është trajtuar për bilancin e pashpenzuar të kalojnë në fondin e Kosovës është ndryshuar me amendamentin e LDK-së, në të cilën flitet që komunave u jepet e drejta të përdorin të hyrat vetanake të tyre.

“Është e padrejtë dhe kundërkushtetuese ndërhyrja në një institucion kushtetues që ofron shërbime në të gjitha komunat e Kosovës ndalja dhe pengesa e shpenzimit të të hyrave vetanake”, vuri në pah kryetari i GP të AAK-së Besnik Tahiri, derisa kujtoi reagimet e “Asociacionit të Komuanve të Kosovës, si dhe të përfaqësuesve të komunave të Kosovës.

Hoti: Qeveria po vendos kontroll mbi institucionet e pavarura

(E plotësuar) Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike e Kosovës, në seancën e Kuvendit, foli për, siç tha ai, tendencën për të vendosur kontroll mbi institucionet, të cilat, sipas Kushtetutës, janë të pavarura, ato institucione janë paralizuar sot dhe pasojat po i vuajnë të gjithë.

“Po i numëroj disa nga institucionet që janë paralizuar sot dhe funksionojnë me ushtrues detyre, 'Banka Qendrore e Kosovës' sot është pa guvernator, procesi i zgjedhjes së zëvendësguvernatorëve, që sot do të kryenin detyrën e guvernatorit, janë bojkotuar nga anëtarët e Bordit, në vitin 2022 dhe ky proces u komprometua; 'Trusti Kosova' është pa Bord, prej vitit të kaluar”, tha Hoti. Edhe këtu, sipas tij, pushteti bojkotoi plotësimin e Bordit dhe nuk ka arsyetim pse ky bojkotim.

“Dhe çka po ndodhë tani, kur po humben dhjetëra e qindra miliona euro nga Trusti, nuk ka kush të kujdeset për ato mjete, nuk ka kush t'i tërheq dhe t'i shpëtojë nga humbjet e këtyre mjeteve”, tha Hoti,

Ai, numëroi edhe moszgjidhjen e Prokurorit të shtetit për tash e një vit. Hoti numëroi edhe një sërë institucionesh që janë pa drejtues të tyre. Kritika pati edhe për qasjen e ekzekutivit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), që nuk ka drejtor.

“Thesari vepron pa drejtor, njësia e inteligjencës financiare pa drejtor, komisioni për ndihmë shtetërore ka një vit e më shumë se nuk zgjedhet për shkak se e keni blloku”, tha pos tjerash Hoti.

Deputetja Hoxha: Kosova u bë bashkë për historinë e saj

(E plotësuar) Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në Kuvendin e Kosovës, duke marrë fjalën, evokoi kujtimet e kohës së luftës, viktimat që presin drejtësi, e cila edhe në ditët e sotme mungon.

“Pranverat e Kosovës, sa janë të lavdishme, aq janë edhe të dhimbjes sonë kolektive”, theksoi mes tjerash, Eliza Hoxha, teksa vuri në pah dukurinë e harresës e moskujdesit tonë ndaj personazheve të kohës, që me kalimin e kohës ndikon në zbehjen e ngjarjeve, deri në harresë. “Dhimbja nuk vjetrohet, por vjetrohen e zbehen kujtimet tona, sepse nuk i kemi ruajtur e as shënuar mjaftueshëm sa duhet e si duhet”, shtoi ajo.

Më tej, deputetja Hoxha deklaroi se historia jonë duket e rrokullisur, ku, siç u shpreh ajo, në vend se të kërkojmë drejtësi për viktimat e luftës dhe shkatërrimet që janë bërë në vendin tonë, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë, derisa përmendi manifestimin e së dielës, “Marshojmë për Drejtësi”, ku, sikundër deklaroi ajo, “Kosova u bë bashkë për historinë e saj, për të vërtetën e saj. Kosova duhet të jetë bashkë për të vërtetën e saj.”

Nis seanca e Kuvendit, në rend dite puna dyvjeçare e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka nisur me seancës plenare, ku në rend dite është Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Batusha: Gjykimi në Hagë nisi në kohën kur kujtohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë 

Pas fillimit të seancës fjalën e mori deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Agon Batusha, i cili foli për masakrat mbi shqiptarët e Kosovës nga pushteti serb dhe fillimin e seancave në Gjykatën e Hagës, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mu tani, në pranverë, kur për çdo vit përkujtohen viktimat e luftës nga masakrat e pushtetit serb.

“Është e trishtueshme që ende sot janë 1647 të pagjetur të cilët janë zhdukur me dhunë nga aparatura ushtarake, policore serbe. Shumë nga udhëheqësit aktual të institucioneve serbe dhe ushtarake serbe janë dorasit apo urdhër-dhënësit e masakrave që kanë ndodhur gjatë periudhës 1998-1999. 137 varre, varre masive janë gjetur në Kosovë me dhjetëra në serbi. Vendndodhja e varrezave masive në Serbi më së miri tregon mendësinë dhe qëllimin e Serbisë, ku ende ka varreza masive të pa treguara”, tha Batusha.

Në seancë pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të raportojë para deputetëve për punën dyvjeçare të qeverisë së tij.

Deputetët e Kuvendit do të shqyrtojnë edhe disa pika të tjera, ndër të cilat edhe Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.

Sot mbahet seanca e Kuvendit, në rend dite edhe puna dyvjeçare e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot nga ora 10:00 për të vazhduar me pikat e mbetura nga seancat e kaluara plenare. Pjesë e rendit të ditës do të jetë edhe Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Deputetët e Kuvendit do të shqyrtojnë edhe disa pika të tjera, ndër të cilat edhe Projektligjin për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore, si dhe Projektligjin për çmimin e produkteve medicinave, transmeton RTKlive.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të raportojë sot para deputetëve për punën dyvjeçare të qeverisë.

Rendi i ditës:

1.    Miratimi i procesverbaleve të seancave të mëparshme,

2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3.    Pyetjet parlamentare,

4.    Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

5.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim,

6.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-155 për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut,

7.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për energjinë,

8.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-160 për pensionet e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës dhe  punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore,

9.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-220 për çmimin e produkteve medicinale,

10.    Shqyrtimi i rekomandimit lidhur me auditimin e procesit të shitjeve me negocim direkt në Agjencinë Kosovare të Privatizimit,

11.    Shqyrtimi i propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të seancës plenare, nr.08-V-321, i datës 23 qershor 2022.


MË SHUME NGA Lajme