Deputetja e PDK-së kritikon punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti
B. Halimi / RTKlive
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe partinë në pushtet, e cila tashmë ka mbushur dy vjet qeverisje të vendit. Duke folur për seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar qeverisja dyvjeçare Kurti, ajo ka thënë se vendi ka stagnuar nën qeverisjen e Kurtit.
“Ka qenë një seancë maratonike, e cila po zgjat ende. Kemi diskutuar gjatë me Qeverinë, të cilët kanë ofruar disa të arritura sipas tyre për të parë se cili ka qenë progresi. Ne, kemi qenë shumë skeptik sepse argumentet flasin ndryshe. Kjo qeveri e cila ka ardhur në pushtet me shpresën, por e gjen vendin me një stagnim total zhvillimor në të gjitha aspektet”, ka theksuar Blerta Kodra Deliu në “Info Plus” në RTK.
Ajo ka thënë se kurrë s’ka qenë më e madhe ikja e qytetarëve nga vendi. “...Po e braktisin vendin të gjitha profilet, jo vetëm ata që kanë nevojë për një vend pune... Të gjithë ata që kanë pritur një shpresë nga kjo qeveri e cila ka ardhur me pompozitet të madh, e në fakt realizimi është shumë i vogël”, ka shtuar ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se kryeministri Kurti në seancën e sotme u mundua t’i ofrojë disa statistika, e që sipas saj sa herë mungojnë rezultatet qeveritarët mundohen që t’u kthehen statistikave e numrave.
Ajo ka thënë se kjo qeveri nuk ka qenë në gjendje të rrisë pagat përkundër inflacionit të madh dhe si rrjedhojë, sipas saj, nuk ka shpresë për qytetarët e Kosovës.
“Të gjitha shtetet e kapluara nga inflacioni? Nuk e bëjmë përgjegjës kryeministrin Kurti për ngritjen e çmimeve, por e bëjmë përgjegjëse këtë qeveri për pasivitetin e saj për t’iu qasur një situate të rëndë sociale dhe për të parë se si mund t’i ndihmojë qytetarët për të parandaluar gjendjen e rëndë. Vendet tjera në kohën e invazionit rus në Ukrainë i kanë pasur reagimet tërësisht ndryshe. Qeveritë kanë qenë shumë reflektuese në raport me gjendjen e rëndë në të cilën kanë qenë qytetarët e tyre dhe nuk i kanë ngarkuar me formën si janë ngarkuar tek ne”, ka nënvizuar Blerta Deliu Kodra.
Ajo tutje ka theksuar se mbështetja nga qeveria për qytetarët në këtë periudhë është shumë e vogël. “Kemi qenë të vëmendshëm edhe me situatën me pandeminë edhe me invazionin rus në Ukrainë. E kuptojmë se situata nuk është e zakonshme. Por është e pazakonshme qasja e kësaj qeverie e cila është totalisht e barrikaduar. Sot fjalimet e ministrave ishin raportime të institucioneve të cilat po i kryejnë punët e veta. Projektet kapitale janë thuajse në pikën zero dhe natyrisht se nuk ka zhvillim, as punësim e as shpresë”, ka përfunduar Kodra Deliu.























