Ende nuk dihet se në çfarë hapësirash do të votohet në veri |Video
Edina Avdiu / RTK
Kanë mbetur më pak se tri javë nga zgjedhjet në komunat veriore. Ende nuk është vendosur për qendrat e votimit ku qytetarët do të mund të votojnë.
Kryeministri Kurti deklaroi në seancën e Kuvendit se Qeveria është në shërbim të KQZ-së dhe se kanë vënë në dispozicion mekanizmat institucionalë dhe burimet e nevojshme për përgatitjen dhe organizimin e duhur të zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit.
“Jam i bindur në bazë të organeve dhe institucioneve shtetërore, në të cilat unë besoj fuqishëm, se janë duke i ofruar të gjitha kushtet dhe masat që të bëhet mbarëvajtja e këtij procesi. Në të njëjtën kohë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve në katër komunat në veri që të dalin dhe të votojnë lirshëm për kandidatët për kryetarë të komunave atje”, ka theksuar Kurti.
Lidhur me organizimin e zgjedhjeve në veri nga Presidenca kanë thënë se KQZ-ja i organizon zgjedhjet dhe i vlerëson kushtet, ndërsa Presidenca vetëm i dekreton.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zvecanit dhe Zubin Potokut.
Kjo listë përmban 45,095 emra të votuesve ose 1,345 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Në anën tjetër, analisti serb, Brasnislav Kërstiq thotë se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen, pasi sipas tij nuk ka kushte për mbajtjen e këtij procesi.
“Mendimi im personal është që nuk ekzistojnë kushtet. Shumica e serbëve janë për bojkot”, ka thënë ai.
Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka vlerësuar se rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zvecanit dhe Zubin Potokut. Kjo listë përmban 45,095 emra të votuesve ose 1,345 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së është hequr pika e rendit të ditës për njoftimin për rekomandimet e
KKZ-ve në komunat veriore për Qendrat e Votimit.
Arsyetimi për heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës ishte se duhet të pritet vlerësimi për qendrat e
votimit nga KKZ-të në secilën komunë ta kenë raportin e plotë në mënyrë që të trajtohet në KQZ.























