S`ka detaje se kur prezantohet drafti i Asociacionit | Video
BKT
Lajme

S`ka detaje se kur prezantohet drafti i Asociacionit | Video

Arlinda Sejda | RTK

Albin Kurti e Aleksandër Vuçiq gjatë prillit pritet të takohen sërish në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes që e arritën në Ohër.

I pyetur nga gazetarët se a është gati drafti që do të prezantohet për formimin e Asociacionit, kryeministri Kurti tha se fillimisht me zëvendëskryeministrin Bislimi do t'i analizojnë rezultatet e takimit të 4 prillit.

"...mandej do të përcaktojmë një ecje përpara në muajin prill brenda të cilit do të ketë një takim të nivelit të lartë, mirëpo edhe njëherë po e theksoj duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe në kuadër të marrëveshjes kemi një nen, i dhjeti që është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme", tha Kurti.

Analistët politikë vlerësojnë se marrëveshja e Ohrit i ka vendosur disa shtylla të cilave nuk mund t'u bishtnojnë asnjëra palë, derisa thanë se është vështirë e pritshme që të ketë një konsensus sa i përket draftit.

"Asociacioni është problemi kryesor dhe do të ketë lëvizje nga pozicionet edhe nga Kosova edhe nga Serbia, mirëpo me parimet e vendosura në marrëveshjen e Ohrit, mendoj që edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë më e gatshme që t'i pranoj edhe kërkesat kosovare edhe ato serbe përbrenda kësaj marrëveshje, përbrenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sistemit shtetëror të Kosovës, në mënyrë që të arrihet te një draft i pranueshëm për te tri palët", theksoi Artan Muhaxheri, analist politik.

Ndërkaq, analisti tjetër Dorajet Imeri konsideron se vet fakti që ‘çështja e vetëmenaxhimit ose e Asociacionit është vendos si çështje kryesore ose e para me të cilën do të fillojë së zbatuari marrëveshja në mes të palëve ka qenë strategji nga Beogradi për të penguar pastaj procesin vijues në pika të tjera të marrëveshjes”.

“...konsideroj që do të lidhet edhe mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, duke ditur që Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të orkestrimit”, shtoi Imeri.

Sipas tij janë disa tregues që mundësia drejt zbatimit të marrëveshjes së plotë pothuajse është e pamundur.


MË SHUME NGA Lajme