Osmani:S`ka gjë më të dhimbshme se kur një shoqëri humb besimin në drejtësi
B. Halimi | RTKlive
S’ka gjë më të dhimbshme dhe më dëshpëruese për një shoqëri sesa të humbë besimin në drejtësinë dhe etikën e ligjit. Kështu është shprehur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”, që u organizua me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës nga Grupi për Ballkan.
Megjithatë, e para e shtetit ka thënë se një gjë është e sigurt, se “edhe kur e tashmja mund të sfidohet nga padrejtësia koha e gjen gjithnjë mënyrën e vet për ta sjellë përfundimisht drejtësinë në vend”.
“Derisa po e festojmë këtë 15 vjetor shpreh gatishmërinë si presidente e Republikës për të vazhduar që të jemi së bashku në zbatim të Kushtetutës së vendit dhe mbi të gjitha në shërbim të vendit tonë, ashtu siç kërkon Kushtetuta dhe ashtu siç kam vepruar që nga dita e parë”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ajo tha se është e rëndësishme që së pari të ritheksohet rëndësia e nivelit më të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive që garanton kjo Kushtetutë.
“Me shumë krenari e them gjithmonë se jemi ndër vendet e pakta, nëse jo të vetmet, që kanë një nivel të këtillë të garantimit të të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, por edhe të qytetarëve në përgjithësi. Këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave tona shoqërore dhe si të tilla duhet të mbesin të paprekura nga kushdo”, ka thënë presidentja.
Sipas saj është po kaq e rëndësishme të ritheksohet fakti se këto të drejta nuk kanë mbetur vetëm deklarative e të shkruara në Kushtetutë, por se institucionet tona përpiqen çdo ditë që t’i zbatojnë ato.
Tutje, Osmani, ka thënë se ‘është me rëndësi që edhe në rastet kur ka kërcënim ndaj këtyre të drejtave, institucionet e vendit të reagojnë në mënyrën më të mirë, më efikase të mundshme, me masat e duhura gjithnjë në mbrojtje të këtyre të drejtave’.
“...Për këtë arsye, kam bërë thirrje të vazhdueshme për përmirësime në reagime të institucioneve ligjzbatuese sidomos në rastet të dhunës në familje dhe dhunës kundër grave”, ka shtuar Osmani.
Më tej presidentja u shpreh e lumtur që në këtë përvjetor të Kushtetutës po diskutohet mes profesionistësh për atë se çfarë mund të bëjë më shumë Kushtetuta jonë për vendin tonë.
“Gjatë këtyre 15 viteve, Kushtetua jonë ka pësuar shumë ndryshime,veçanërisht në kuadër të obligimeve ndërkombëtare të vendit tonë, në kornizën institucionale, si dhe mënyrën se si ato kanë ndërvepruar në të kaluarën. Kushtetuta jonë pësoi edhe ndryshime të tjera atëherë kur shoqëria jonë i konsideroi ato të rëndësishme, dhe besoj që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, gjithmonë për t’i shërbyer sa më shumë e sa më mirë nevojave të përditshme të shoqërisë”, ka nënvizuar Osmani.
Në këtë konferencë është prezantuar raporti i politikave “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”, që analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.























