Haradinaj: Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar
B. H. / RTKlive
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me rastin e 15-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës ka theksuar rëndësinë e kësaj Kushtetute si motor i demokracisë dhe zhvillimit të vendit, por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt me apetite të autokracisë.
“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancin e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit", theksoi Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai tha gjithashtu se kjo "Kushtetutë është mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin e Kosovës me apetite të autokracisë".
"Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës", shtoi ai.
Haradinaj ftoi qeverinë e Kosovës “që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajë sigurinë juridike të ndërtuar me vite”.
"Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli ynë paqedashës dhe nga skena politike e cila deri më tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk ju konvenuan grupacioneve politike”, nënvizoi tutje Haradinaj.























