Kurti uron Pashkën: Së bashku ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit
B. H. / RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nëpërmjet një mesazhi ka uruar besimtarët katolikë dhe protestantë për festën e Pashkës. Ai ka thënë se kjo festë “na inspiron për të arritur fitoren e së mirës mbi të keqen”.
“Urime për të gjitha familjet që e shënojnë këtë festë të shenjtë e të madhe. Më shumë se kurrë kemi nevojë për besim, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, që t'i kalojmë të gjitha pengesat me durim e t'i kremtojmë arritjet me gëzim. Le t’ia përkujtojmë njëri-tjetrit se me më shumë vendosmëri e besnikëri, të inkurajuar nga shpresa e të mbrujtur nga përkushtimi, së bashku, ndërtojmë një shoqëri të mirëkuptimit dhe solidaritetit”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka thënë se në këtë festë duhet treguar solidaritet dhe vullnet për të ndihmuar të tjerët.
“Le të frymëzohemi nga gëzimi që vjen pas sakrificës së madhe, nga gëzimi i ringjalljes, nga kumti i Pashkës për më shumë përgjegjësi dhe unitet. Kjo kohë e mirësisë dhe afërsisë së vërtetë reflektohet edhe në kujdesin për fqinjët tanë”, ka nënvizuar i pari i ekzekutivit.
Kurti ka thënë se festa e Pashkës është festë e shpresës, besimit dhe dashurisë së përjetshme, ku jeta mposht vdekjen dhe drita mposht errësirën.
“Ajo evokon devocionin dhe tregon rrugën e ripërtëritjes dhe rilindjes. Na inspiron për të arritur fitoren e së mirës mbi të keqen me fuqinë e shpirtit tonë. Për shumë mot urime Pashkën!”, ka theksuar tutje Kurti.























