Marrëveshja Kosovë-Serbi, Raci: Kosova ka qenë gjithnjë bashkëpunuese
M.Miftari/RTKlive
“Në historinë e dialogut Kosovë-Serbi, Kosova ka qenë gjithnjë bashkëpunuese, duke zbatuar të gjitha marrëveshjet e dala që nga viti 2011, ndërkohë që Serbia gjithnjë i ka ikur zbatimit të tyre.”
Kështu vlerësoi analisti politik Gazmir Raci, në "Info Plus", në RTK, duke shtuar se Serbia ende po vazhdon me veprime obstruksioniste, teksa përmendi deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me pikat e marrëveshjes të arritura në Ohër, ndonëse, vuri në pah ai, Kosova nuk ka pse t’i frikësohet deklaratës nga BE, sepse kësaj marrëveshjeje Kosova i tha: Po- në Bruksel edhe në Ohër, të cilën ishte e gatshme që ta nënshkruante.
“Me Serbinë asnjë kapitull në rrugën e integrimit në BE nuk është mbyllur, por që as nuk është hapur. Dhe tani marrëveshja franko-gjermane, si dhe aneksi i marrëveshjes të arritur në Ohër, është bërë pjesë integrale e integrimeve evropiane e Kosovës dhe të Serbisë “, deklaroi analisti Raci, në “Info Plus”, në RTK.
Ai më tej shtoi se rruga e integrimit në BE e Serbisë është përmes përmirësimit të raporteve me Kosovën dhe zbatimit të marrëveshjeve të arrira në Bruksel.
Deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dhënë kohëve të fundit se nuk do t’i zbatojë disa nga pikat e marrëveshjes të arritura në Ohër, analisti Raci, vlerësoi si më të keqe deri më tani, derisa, shtoi ai, pala kosovare ka filluar me zbatimin e pikave të marrëveshjes të arritura atje.
“Kjo duhet të vlerësohet nga BE si dështim dhe sabotim nga pala serbe”, konsideroi Raci.
Ai, ndër të tjera, përmendi pikat e marrëveshjeve që janë arritur në dialogun Kosovë- Serbi, në Bruksel e Ohër, ku një nga pikat më kryesore, siç theksoi ai, është fati i të pagjeturve, pastaj ajo e energjisë dhe e Asociacionit.
Zgjedhjet në veri
Për situatën në veri të vendit, Raci e vlerësoi si të tensionuar, ndërkohë që potencoi nëse do të kenë legjitimitet popullor, në rast se do të ketë dalje masovike në zgjedhje, teksa shtoi se edhe Lista Serbe ka përpjekje që të reformohet, duke përmendur disa anëtarë të kësaj liste që kanë probleme me ligjin dhe që janë në listën e zezë edhe te SHBA.
“Duhet të ketë kryetar legjitimi e asamble komunale që të formohet Asociacioni”, tha në fund të inteveistës në “Info Plus”, analisti Raci.























