Incidenti në veri, Hovenier: Të kryhet një hetim i plotë dhe i besueshëm
RTKlive
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, deklaroi se është i shqetësuar për plagosjen e një serbi në afërsi të Zveçanit.
Jeff Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes një postimi në twitter, u shpreh se Shtete e Bashkuara janë të shqetësuar për incidentin e ndodhur mbrëmë në veri të Kosovës, në afërsi të Zveçanit, derisa shtoi se zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë e të besueshëm.
Ambasadori Hovenier deklaroi se është thellësisht i shqetësuar nga mohimi fillestar, siç u shpreh ai, i bërë pa kujdesin e duhur .
Lidhur me ngjarjen për të cilën reagoi ambasadori Hovenier, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen e saj në atë aksident, ndërkohë që më vonë Policia e Kosovës ka suspenduar katër zyrtarë policorë.
“SHBA-të janë të shqetësuara për incidentin në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur.
Të gjithë qytetarët duhet të kenë besim në transparencën e zbatimit të ligjit dhe sektorit të drejtësisë. Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar në twitter, ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier.
























