Gazetari Valon Syla sulmohet nga tre persona, ai kërkon ndihmë mjekësore
BKT
Foto: Valon Syla/Facebook
Lajme

Gazetari Valon Syla sulmohet nga tre persona, ai kërkon ndihmë mjekësore

Jeton Musliu/RTKlive

Tre persona e kanë sulmuar në orët e mbrëmjes të së hënës, gazetarin dhe analistin Valon Syla.  Sulmi ka ndodhur pasi ai ka dalë nga studio e televizionit privat, T7, ku ishte në emisionin debatues të mbrëmjes.

Më vonë, vetë Syla deklaroi se ishin tre persona që e kanë sulmuar, dhe të cilët i përshkroi si “islamistë fanatik dhe se sulmi shpejt e shpejt ka ndodhë”.

Dyshohet se sulmuesit e kanë ndjekur me veturë  Sylën, deri në lagjen ‘Bregu i Diellit’,  dhe sapo ka zbritur nga automjeti, edhe e  kanë sulmuar.

Ai ka pësuar lëndime në kokë, për çfarë edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare.

Ndërkohë, rreth mesnatës ndërmjet të hënës dhe të martës, Drejtori i Qendrës Emergjente në QKUK,  Naser Syla, ka deklaruar se gazetarit  Valon Syla i janë  bërë disa incizime në kokë.

 Ai ka konfirmuar se Syla është lënduar në kokë dhe plaga i është qepur, por se nuk do të operohet.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku është sulmuar Syla dhe  janë duke hetuar rastin, ndonëse ende nuk ka ndonjë informacion zyrtar.

Aktualisht nuk dihen motivet e këtij sulmi. Ndërkohë, sulmin e së hënës në mbrëmje ndaj gazetarit Syla e kanë dënuar zyrtarë shtetërorë si dhe personalitetet të ndryshme të jetës publike në vend.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka lëshuar një komunikatë rreth mesnatës ndërmjet të hënës e të martës, ku ka dënuar ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

AGK ka kërkuar hetime urgjente për këtë rast.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”, deklaron AGK-ja.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Në reagimin e tij, Kryeparlamentari ka thënë së kjo është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut.

“Dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike”, tha Konjufca, duke shtuar se “Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”.

Në anën tjetër, edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj sulmit mbi gazetarin Valpon Syla.

Çitaku deklaruar se kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë.

 “Valon Syla ka të drejtë të pakontestueshme me e thanë mendimin. Me ngritë pyetje. Me ngritë dilema. Valoni ka të drejtë me thanë ama bash çka të dojë e besojë. Kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë”, ka shkruar Vlora Çitaku.

Pas sulmit mbi gazetarin Valon Syla, ka reaguar edhe Lulzim Peci, ish ambasador i Kosovës, e tani drejtor i KIPRED-it.

Sulmin ndaj Sylës, Peci e ka quajtur sulm ndaj fjalës së lirë.

Sulmi ndaj gazetarit Syla nuk ndodhë për herë të parë. Në dhjetor të 2020, një bashkatdhetar, e kishte ndalur në rrugë duke e goditur në fytyrë.

Ky sulm fizik ndaj gazetarit Syla ishte ndërlidhur me shkrimet dhe qëndrimet e tij  për mos integrimin e mërgatës në vendet ku jetojnë.


MË SHUME NGA Lajme