Kurti: Lehtësohet qarkullimi banorëve të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri
J.Musliu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se me nënshkrimin e Protokollit Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare, mes ministrave të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve që banojnë në zonat kufitare.
Ai tha se ky protokoll përfshinë 26 vendkalime të veçanta kufitare.
“Prej ditës së sotme, mbi 200 mijë shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor, kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj”, deklaroi kryeministri Kurti.
Sipas tij, kjo marrëveshje thellon edhe më tej bashkëpunimin tonë ndërshetëror dhe lehtëson ndërveprimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Gjatë ditës, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe homologu i tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, nënshkruan në Tiranë protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Kosovë, sipas marrëveshjes së firmosur vitin e shkuar.
Sipas dy ministrave, Çuçi dhe Svelça, ky protokoll është një hap tjetër përpara në këtë proces lehtësimi, sepse krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.
























