Hapet qielli mes Kosovës e Malit të Zi, shkurtohet koha e fluturimeve
BKT
Foto arkiv/ https://kryeministri.rks-gov.net
Lajme

Hapet qielli mes Kosovës e Malit të Zi, shkurtohet koha e fluturimeve

Jeton Musliu/RTKlive

(E plotësuar) Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për Shërbime Ajrore. Firmat u hodhën në Prishtinë, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Me këtë marrëveshje, parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas kryeministrit Kurti, kjo hapësirë ishte e lejuar për hyrje-dalje deri më tani vetëm për avionët ushtarakë të NATO-s.

Ai tha se me këtë marrëveshje, do të shkurtohet koha e fluturimit nga Aeroporti i Prishtinës për 15 minuta dhe se kjo do të ndikojë në dy aspekte.

 “Zvogëlon emitimin e gazrave të dëmshme dhe do të ndikojë në uljen e çmimit të biletave”, tha Kurti.

Madje ai u shpreh se me këtë marrëveshje, nëse një kompani ka pasur katër fluturime në ditë, me hapjen e koridorit të ri ajror, lirisht mund ta shtojë edhe një të pestë.

Një deklarim të tillë, kryeministri Kurti e bëri në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij nga Mali i Zi.

Përveç të tjerash, Kurti rikujtoi se mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, ishin në fokus të bisedës ndërmjet tyre.

“Të dy vendet promovojnë paqen. Kemi ndërtuar marrëdhënie ndërnjerëzore dhe i jemi mirënjohës Malit të Zi për strehimin e refugjatëve gjatë luftës në Kosovë”, tha Kurti, sipas të cilit, “Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë mikëpritjen e solidaritetin”.

“Sot kosovarët janë pushues dhe investitorë atje. Kemi rritje të shkëmbimit tregtar, kurse eksportet për Mal të Zi janë rritur për 55%”.

Kryeministri Kurti u shpreh se projektetet e përbashkëta, si ai i lehtësimit të kalimit të pikave kufitare gjatë sezonin turistik, apo dinamizimi  i punimeve për ndërtimin e rrugës Deçan –Plavë e asaj Pejë –Rozhajë, i kontribuojnë bashkëpunimit të ndërsjellë.

E nga ana e tij, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pasi ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën, tha se shteti malazez  do te jetë ndihmuese e Kosovës në të gjitha proceset, ekonomike, politike dhe të integrimeve.

Ai tha se Mali i Zi dhe Kosova janë shembulli me i mirë se si bashkëpunohet.

“Ne kemi përpara vetës projekte të rëndesishme infrastrukturore”, tha kryeministri Abazoviq.

“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politike, por në raport me Kosovën nuk do të ndryshojë kurrë asgjë”, siguroi kreu i qeverisë së Malit të Zi.

Ai tha se Kosova mund të llogarisë në Malin e Zi. “Edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë treguar se në dy sfidat kryesore, ajo në sundimin e ligjit dhe ekonomi, kanë pasur shumë suksese”.

Abazoviq  tha se Kosova e ka mbështetjen e Malit te Zi. “E ardhmja jonë është në BE”, tha ai, duke e ftuar për vizitë zyrtare kryeministrin Kurti në Podgoricë.

Nis takimi Kurti - Abazoviq

A.B / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kryeministri Kurti dhe homologu i tij, Abazoviq, do të nënshkruajnë marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dje pasdite ka arritur në Kosovë, ku po qëndron për një vizitë treditore.

Abazoviqi ka takuar edhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili me këtë rast e ka nderuar kryeministrin Abazoviq me “Çelësinë e Prishtinës”.

Kurti sot takon Abazoviqin, nënshkruajnë marrëveshjen për shërbime ajrore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot pret në takim Kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Me këtë rast do të nënshkruajnë Marrëveshjen për Shërbime Ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Pas takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë, Abazoviq do të kenë deklarim për media.


MË SHUME NGA Lajme