Kurti: Çdo ditë solidarizohem me të mbijetuarat e dhunës seksuale
RTKlive
(E Plotësuar) Është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Sot nderojmë gratë e forta që treguan të vërtetën për krimet e Serbisë në Kosovë. Marte Tunaj, Vasfije Krasniqi Goodman e Shyhrete Tahiri Sylejmani, me guxim e forcë të pashembullt, u bënë zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar kryeministri Kurti në rrjetin social Facebook.
Ai thotë se çdo ditë solidarizohemi me të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit.
“Mund të mos ua dimë emrat, por forcën ua dimë”, shkruar Kurti.
Kryeministri thotë se duke njohur dhimbjen dhe vuajtjet e grave dhe vajzave, të burrave dhe djemve, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me presidenten e Republikës së Kosovës, 14 prillin e kanë shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Heshtja që mveshë këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar”, konsideron kryeministri Kurti.
Ndryshe, sot në mëngjes kryeministri Kurti me kabinetin qeveritar nderuan viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke bërë homazhe te memoriali Heroinat.
Kryeministri Kurti me kabinetin qeveritar nderon viktimat e dhunës seksuale
Në Ditën Memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shpallur këtë vit nga Qeveria, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nderoi viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Me homazhe te memoriali Heroinat, kryeministri Kurti përkujtoi viktimat e dhunës seksuale, të cilat nuk janë më në mesin tonë, si dhe nderoi të mbijetuarat e të mbijetuarit për forcën e tyre të pashembullt.
Kryeministri Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendosi lule para memorialit, i cili përkujton mijëra gra dhe vajza, burra dhe djem, viktima e të mbijetuar të dhunës seksuale, që është përdorur si armë lufte nga forcat e okupatorit serb në luftën e fundit në Kosovë.
Në homazhe morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës në Kosovë, Leonora Selmani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Në mbledhjen e 138-të, të mbajtur më 12 prill 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, ka shpallur datën 14 prill si Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.























