Prokurorja: I dyshuari për vrasjen s`ishte në gjendje të merrej në pyetje
B. H. / RTKlive
(E plotësuar) Rasti i ndodhur pasditen e sotme, ku një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë, ka tronditur jo vetëm banorët e këtij qyteti por edhe opinionin e gjerë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë kanë folur në një konferencë për media prokurorja e rastit, Sahide Gashi dhe komandanti i Policisë, Nue Nikolla.
“Sot jam para jush dhe bashkëqytetarëve të Pejës lidhur me një rast tragjik dhe të dhimbshëm që ka ndodhur në Pejë dhe familjes i shprehim ngushëllime. Sot rreth orës 16:00 jemi njoftuar se ka ndodhur një vrasje në qytetin e Pejës ku dyshohet se i biri ka privuar nga jeta të ëmën. Duke iu falënderuar reagimit të shpejt të Policisë është arritur që i njëjti të arrestohet në mënyrë që të mos i shkaktojë dikujt tjetër ndonjë dëm ose vetës”, ka thënë prokurorja Gashi.
Ajo tutje ka bërë të ditur se së bashku me njësitin e forenzikës janë mbledhur të gjitha provat, derisa është urdhëruar edhe autopsia e të ndjerës.
“Kemi siguruar dëshmitarë okularë. I dyshuari nuk ka qenë në gjendje të merret sot në pyetje, por kemi urdhëruar që nesër në prezencë të psikologut dhe avokatit mbrojtës të merret në pyetje. Po ashtu do të vazhdojmë me hetime”, ka shtuar prokurorja.
Ajo ka paralajmëruar se të dyshuarit do t’i bëhet edhe një ekzaminim në Institutin e Psikiatrisë.
Ngjarje e rëndë në Pejë, dyshohet se djali vrau nënën
Pasditen e sotme Peja është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Dyshohet se një person e ka privuar nga jeta nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova. “Rreth orës 16:00 policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë. Me të arritur në vendin e ngjarjes, policia ka kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. I dyshuari është arrestuar”, ka deklaruar ai.
























