Peci: Ka marrëveshje Kosovë-Serbi, por diskursi politik mbetet i njëjtë
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Peci: Ka marrëveshje Kosovë-Serbi, por diskursi politik mbetet i njëjtë

Zëri i Amerikës

Drejtori i institutit Kipred, Lulzim Peci, deklaroi se Kosova dhe Serbia po përballen me trysni nga faktori ndërkombëtar për ta zbatuar sa më shpejt marrëveshjen. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë vënë në rrezik edhe besueshmërinë e tyre në këtë përpjekje për paqe.

“Ajo që më shqetëson është se ka një marrëveshje, por diskursi politik, diskursi politik armiqësor nuk ka ndryshuar dhe nëse nuk ndryshohet ky diskurs politik kam frikë se edhe pas zbatimit të marrëveshjes do të rezultojë në një atmosferë të hidhur dhe mund të rrisë mosbesimin midis të gjitha palëve të përfshira”, tha zoti Peci.

Tatjana Lazareviç nga portali Kossev tha se kjo marrëveshje tashmë është e detyrueshme dhe asnjëra palë nuk mund të ikë nga procesi i zbatimit. Ajo tha se pret që procesi i pajtimit të zgjasë shumë.

“Unë personalisht pres që duhet edhe një dekadë për këtë fazë të re për të përfunduar procesin e konfirmimit se Serbia de jure dhe de facto e ka pranuar ndarjen e Kosovës si shtet i pavarur”, tha ajo.

Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen e arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

Në fillim të këtij muaji kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan për tekstin e deklaratës mbi personat e zhdukur gjatë luftës si dhe diskutuan për hapat drejt themelimit të asociacionit dhe zbatimit të marrëveshjeve të tjera të arritura në bisedimet e mëhershme në Bruksel. Ky takim i ka hap rrugë organizimit të një takimi të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjes.


MË SHUME NGA Lajme