Abazoviq i qëndron prapa Marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe
Jeton Musliu/RTKLive
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në intervistën ekskluzive në RTK Prime në RTK u pyet për marrëveshjen e arritur mes tij dhe Kishës Ortodokse Serbe. Ai mohoi pretendimet se është kjo marrëveshje ajo që e rrëzoi nga posti i kryeministrit.
Ai tha se absolutisht i qëndron prapa marrëveshjes më Kishën Ortodokse Serbe. “Ka shkuar Gjukanoviqi e jo unë”, tha ai. “Nuk mund të lëvizini gjërat pa dashur të lëvizni nga zona e rehatisë”.
Abazoviq tha se ka ardhur në postin e kryeministrit për të marr vendime të vështira dhe se është krenar për aq sa ka bërë. “Edhe ju do ta keni më të lehtë të ecni përpara sepse të drejtën që e kërkoni për vete, duhet dhënë edhe të tjerëve”, tha ai. “Kështu e shoh politikën”.
Abazoviq u shpreh se kjo marrëveshje e tij me Kishën Ortodokse Serbe, është model të cilin edhe Kosova mund ta zbatojë pa asnjë telashe. “Kur të relaksohet populli, vetëm përfitohet”.
Kryeministri Abazoviq tha se me atë marrëveshje, i është hequr problemi pasardhësit të tij në këtë post. “Nuk them në mënyrë të njëjtë, por si model mund ta ketë edhe Kosova atë marrëveshje me Kishën Ortodokse”























