Abazoviq: Marrëveshja e Brukselit është themel i mirë për më tej
RTKlive
Kryeministri malazias në RTK ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke deklaruar se plani evropian është një bazë e mirë për një marrëveshje finale ndërmjet dy shteteve. Abazoviq ndër të tjera ka deklaruar se nëse problemi i Kosovës me Serbinë nuk zgjidhet sa është në pushtet Aleksandër Vuçiq, me dikë tjetër në krye të Serbisë ky proces do të vonohet shumë.
Ai deklaroi se Mali i Zi është për një marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës e Serbisë.
“Mali i Zi është shumë i interesuar për marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës e Serbisë sepse do të ishte ndihmesë edhe për rajonin”, tha ai.
Abazoviq përsëriti se Mali i Zi është i gatshëm që të shërbejë si vend logjistik për të ofruar mundësi për takim sikurse ai në Ohër.
“Marrëveshja e Brukselit është themel i mirë për më tej”, tha ai.
Sipas tij, në rast se Mali i Zi mund të jetë pjesë e garancisë për tejkalim të problemeve, atëherë mund të bëhet. “Por ka barriera në kokat e politikanëve sepse duhet thyer barriera për më tej”.
Ai tha se ka dhjetë vjet e njëzet vjet që po flasim për të njëjta gjëra. “Mendoj se garancitë duhet të vijnë nga faktori ndërkombëtar dhe duhet nënshkruar e ecur përpara”, deklaroi Abazoviq.























