Presidenca: Osmani s`i dha Valdrin Sahitit pasaportë diplomatike
BKT
Foto: Valdrin Sahiti/Linkedin
Lajme

Presidenca: Osmani s`i dha Valdrin Sahitit pasaportë diplomatike

J.Musliu/RTKlive

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve lidhur me pasaportën diplomatike që posedon disenjatori Valdrin Sahiti.

Ai ka kundërshtuar pretendimet se kjo pasaportë i është dhënë nga presidentja Osmani.

Kupina ka shkruar në Facebook se presidentja Osmani asnjëherë nuk i ka dhënë pasaportë diplomatike askujt, pra as Valdrin Sahitit.

“Presidentja as nuk e ka rekomanduar një gjë të tillë”, ka deklaruar Kupina.

“Presidentja nuk ka kompetencë ligjore të japë pasaporta”, ka sqaruar ai.

Sipas tij, këto pasaporta janë dhënë nga qeverisja e kaluar.

“Prandaj shpifjet e shumta të këtyre ditëve Presidenca do t’i trajtojë duke ndërmarrë masa të parapara me ligj ndaj të gjithë atyre që kanë shpifur”, ka shkruar Kupina.

Emri i Valdrin Sahitit është përmendur gjatë ditëve të fundit, pasi ka pasur raportime se ai është ndaluar nga autoritetet turke në Aeroportin e  Stmabollit, derisa ishte duke udhëtuar drejt Dubait.

Disa media kanë raportuar se ai është ndaluar nga autoritetet turke pasi kishte me vete substanca të ndaluara.

Sidoqoftë,  këto pretendime i ka hedhur poshtë avokati i tij, Besnik Berisha. Madje, ai ka cituar vetë Sahitin, të ketë thënë se të gjitha janë shpifje dhe duke konfirmuar se disenjatori tashmë ndodhet në Dubai për punët e tij dhe si dëshmi ka dërguar edhe vulën hyrëse në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila mban datën 11 prill.


MË SHUME NGA Lajme