KQZ u ofron mundësinë votuesve të kontrollojnë për qendren e votimit
J.Musliu/RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton votuesit e katër komunave në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, se mund të gjejnë qendren e tyre të votimit, duke kërkuar online.
Kërkimi mund të bëhet në faqen e KQZ-së. “Procedura për këtë qëllim është e thjeshtë, duke shënuar vetëm numrin personal të identifikimit në makinën kërkuese që është vendosur në ueb faqen e KQZ-së, në hapësirën -Gjej qendrën tuaj të votimit”, sqaron KQZ-ja.
Në këtë makinë kërkuese janë përditësuar të dhënat e listës votuese në përputhje me vendimin e KQZ-së për miratimin e listës së qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre, i datës 14 prill 2023.
Sipas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime.























