Agim Ademi lirohet nga arresti shtëpiak, i rikthehet punës në FFK
RTKlive
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është liruar nga masa e arrestit shtëpiak dhe i është rikthyer punës në krye të këtij institucioni.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur për lirimin e kreut të futbollit kosovar, pasi ai dyshohej për ‘keqpërdorim të besimit’ dhe ‘shmangie nga tatimi.
“Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Penal, në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, pas marrjes së përgjigjes nga Prokurori i Shtetit, me datën 14.04.2023, mori Aktvendim me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së të pandehurit për zëvendësimin e masës së Arrestit shtëpiak në masën Paraqitja në stacion policor dhe dorëzani, dhe i ndërpritet masa e Arrestit Shtëpiak. I pandehuri A.A lirohet menjëherë nga kjo masë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.
Lidhur me këto dyshime ishin marrë në pyetje edhe disa zyrtarë tjerë të federatës. Ndërkohë, menjëherë pas lirimit nga masa e arrestit shtëpiak, Ademi është rikthyer në vendin e tij të punës në krye të FFK-së, teksa ka reaguar edhe me një postim në profilin e tij në Instagram: “I rikthehemi punës me përgjegjësi e krenari”, ka shkruar ai.
Tani Ademi, bashkë me drejtuesit e tjerë të FFK-së dhe të klubeve i pret finalizimi i procesit të licencimit nga MKRS, që është duke u zvarritur tash e disa muaj.























