Në Bruksel krijohet Komiteti për monitorimin e Marrëveshjes së Ohrit
M.Shefkiu/RTKlive
Bashkimi Evropian si palë ndërmjetësues në dialog, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, kanë krijuar të martën një komitet të përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
“BE si ndërmjetësuese e dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, kanë krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Sipas njoftimit, themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç është përcaktuar në Aneksin e Zbatimit.
“Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq”, njofton BE nëpërmjet një komunikate për mdedia.
Komiteti sipas njoftimit të BE-së, do të takohet rregullisht në Bruksel.
“Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj”, thuhet në njoftimin e BE-së.























