Kurti takoi ambasadorin De Riu, falënderon Italinë për përkrahje
BKT
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti takoi ambasadorin De Riu, falënderon Italinë për përkrahje

M.Sh.RTKlive

Italia ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej shteteve me kontributin më të madh afatgjatë në Kosovë, që nga prania e qëndrueshme e KFOR-it italian e deri tek mbështetja financiare për projekte e procese të tjera zhvillimore në Kosovë.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një takimi që zhvilloi me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i cili shoqërohej nga Majlinda Bregasi, profesoreshë e gjuhës italiane në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë takimit, ku ishte e pranishme dhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, u riafirmua vazhdimësia e marrëdhënieve të frytshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë tek zgjerimi i shtrirjes së gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë, njofton Qeveria e Kosovës.

Aktualisht, kjo mbështetje, siç thuhet në njoftim, pritet të konkretizohet edhe përmes iniciativës së Ministrisë së Jashtme të Italisë për të përkrahur shkollat profesionale në profilin e hotelerisë - turizmit. Më tej, në takim është diskutuar edhe potenciali i zhvillimit të një programi të ri për gjuhën dhe kulturën italiane në Universitetin e Prishtinës, i cili do të kishte në qendër gjithashtu edhe fushën e komunikimit.

Kryeministri Kurti konfirmoi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për iniciativat si kjo që vijnë nga shteti mik i Italisë, duke nënvizuar rëndësinë historike, strategjike e kulturore të Republikës së Italisë për Kosovën dhe rrugëtimin e saj.


MË SHUME NGA Lajme