Cakolli: Mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte do të jetë problematike
BKT
Lajme

Cakolli: Mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte do të jetë problematike

N.M. / RTKlive

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe, do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin “Info plus” në RTK, tha se këto zgjedhje KDI do të këtë një numër të vogël monitoruesish dhe atë vetëm si ekipe mobile, kjo, sipas tij, do të bëhet edhe për shkaqe sigurie.

Cakolli tha se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte do të jetë problematike, edhe pse në kuptimin formal, zgjedhjet do të jenë të rregullta. Ky proces, sipas tij, nuk i plotëson mbase shumë parakushte për të qenë proces i rregullt dhe i mirëfilltë zgjedhor.

“Është e qartë se do të këtë interes minimal nga ana e votuesve të komunitetit serb që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Në pjesën veriore nuk ka pasur fushatë zgjedhore ose ajo ka kaluar nën hije, sepse partitë serbe nuk do të marrin pjesë. Në tri komunat në veri do të votojnë vetëm 2-3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, kurse në Mitrovicën e Veriut kjo shifër mund të arrijë numrin dyshifror”, tha Cakolli.

Cakolli shtoi se për fat të keq Beogradi edhe njëherë, përmes interferimit, ndërhyrjeve po cenon zgjedhjet e lira e të qeta në atë pjesë të vendit, e kjo, sipas tij, nuk është as në interesat e vet qytetarëve serb.

KDI, tha Cakolli, ka reaguar edhe lidhur me gjuhën denigruese të përdorur nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, si edhe rasti i arrestimit të Nagip Krasniqi, kryeshef i KEK-ut dhe reagimit dhe ndërhyrjes në drejtësi, të anëtarëve të partisë në pushtet, lidhur me këtë çështje.


MË SHUME NGA Lajme