Integrimi i personave me aftësi të kufizuara në shoqëri mbete sfidë|Video
Venera Adili/ RTK
Pavarësisht legjislacionit e premtimeve për ofrimin e kushteve më të mira, integrimi i personave me aftësi të kufizuara në shoqëri mbetet problem. Grupi Avokues i Prindërve me Fëmijë me Aftësi të Kufizuara ka ngritur shqetësimet për qasje në shërbime shëndetësore e arsimore te deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, të cilët deklaruan se do t’i adresojnë.
Megjithëse në ditë të veçanta shprehet solidarizim me personat me aftësi të kufizuara, përditshmëria e tyre është e mbushur me vështirësi. Integrimi në shoqëri mbetet sfidë, ndërsa barrën e bartin familjet e tyre.
Të gjitha këto telashe me theks mungesën e shërbimeve shëndetësore, Mimoza Rrahmani, si prind i shprehu para deputetëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
“Nuk ka shërbime të mjaftueshme shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara dhe shumë prej shërbimeve detyrohemi t’i bëjmë vet ne si prind, edhe pse nuk jam mjek duhet me u shërby përmes internetit me marr këshilla”, tha Mimoza Rrahmani.
“Ne kemi vështirësi në qasje brenda institucioneve publike për të marrë shërbime apo për të shfrytëzuara hapësirat e caktuara”, theksoi Lirije Sadrija nga Grupi Avokues i Personave me Aftësi të Kufizuara.
Kryesuesja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, tha se këto probleme janë akumuluar ndër vite, porse do të adresohen në grupet punuese e në ministritë përkatëse për ndryshimet dhe zbatimin e ligjeve.
“Këtu po e shohim pengesa nga legjislacioni dhe mos respektimi I legjislacionit. Kompetenca e komisioneve që ne në këtë moment nuk do të ndërhyjmë me vlerësua kompetencën por po ju them se nuk ka gatishmëri të ekspertëve me hy në këto”, deklaroi Fatmire Kollçaku, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Anëtarët e Komisionit nga të gjitha partitë kanë shprehur gatishmëri për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë. Ata kërkuan që ankesat të procedohen edhe me shkrim.























