Policia e Kosovës me plan operativ për zgjedhjet ne veri të vendit
BKT
Lajme

Policia e Kosovës me plan operativ për zgjedhjet ne veri të vendit

N.M. /RTKlive

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat e Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe, do t’u drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës.

“Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saj operacionale dhe në bashkërendim me përfaqësues të institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), ka ndërmarr të gjitha veprimet dhe masat në kuadër të mandatit dhe autorizimeve ligjore për koordinimin e aktiviteteve, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës”m thuhet në njoftimin e zyrës për informim të PK-së.

Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve, sipas Policisë së Kosovës, është implementimi i planit operativ policor, ku Policia synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

“Garantimi i së drejtës së votës, mbrojtja e jetës dhe pronës, parandalimi i dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin, si dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme etj”m thuhet tutje në këtë njoftim.

Ky plan parasheh që Policia e Kosovës të angazhohet në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme për qytetarët dhe vendin, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje.

“Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre. Raportimet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale dhe të njëjtat mund t’i adresoni te Prokuroria e Shtetit, KQZ-ja dhe te Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PK-së.


MË SHUME NGA Lajme