KQZ miraton planin për zgjedhjet
BKT
Lajme

KQZ miraton planin për zgjedhjet

Edona Podvorica/ RTK

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi , ftoi qytetarët e këtyre komunave, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë dhe të zgjedhin kryetarët e tyre.

Fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen në veri kanë arritur dhe do të shpërndahen në qendrat e votimit.

Katërdhjetë e pesë mijë votues të katër komunave në veri të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen të dielën në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të shtunën paradite, miratoi planin operacional dhe tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve. I pari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka ftuar qytetarët me të drejtë vote të dalin në votime nesër.

“Në emër të KQZ-së unë ftoj të gjithë qytetarët e veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë në zgjedhje dhe në këtë formë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitim dhe të ndërtojnë institucionet demokratike”, tha Kreshnik Radoniqi-, kryetar i KQZ-së.

Qytetarët e këtyre katër komunave do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, ndërsa 13 qendra janë alternative. Në mbledhje u miratua edhe pika për dy ekipe mobile.

 “Në 13 qendra alternative janë bërë të gjitha përgatitjet, nga lista prej 50 personave që na e kanë dergu MD-ja,25 prej tyre janë në listën përfundimtare të votuesve dhe ekipet mobile do të kujdesen për këta përsona që të votojnë”, deklaroi Burim Ahmetaj, kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së.

KQZ mori po ashtu vendim për të zëvendësuar komisionerët nga Partia e Serbëve të Kosovës, të cilët kanë njoftuar se nuk do të dalin në ditën e zgjedhjeve në vendvotime, pasi kreu i kësaj partie, Aleksandër Jabllanoviq u tërhoq nga gara për kryetar të Leposaviqit.

Kjo është hera e dytë që tentohet të mbahen zgjedhjet në veri pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave vitin e kaluar. Ndërkohë në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për asamble komunale.


MË SHUME NGA Lajme