Kurti: Kosova të ketë qasje në fondet e OKB-së për ndryshime klimatike
BKT
Foto:@Mgrabovci
Lajme

Kurti: Kosova të ketë qasje në fondet e OKB-së për ndryshime klimatike

M.Miftari/RTKlive

Kryeministri Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ka theksuar se kjo ditë shërben për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet mjedisore, për të promovuar praktika të qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, për të ndërmarr veprime konkrete për mbrojtjen e tokës dhe shëndetit tonë.

Përmes thirrjes “Investoni në planetin tonë", kryeministri Kurti vuri në pah theksin se temë e këtij viti është thirrje për qeverinë dhe bizneset, komunat dhe organizatat, aktivistët dhe mediat, komunitetet dhe qytetarët që të punojmë bashkë për një të ardhme më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë.

“Për ne, Dita e Tokës nuk është dita e vetme kur ne flasim e veprojmë për tokën, por është ditë që na frymëzon për më shumë veprim dhe na ndihmon të vlerësojmë progresin e përditshëm që bëjmë”, u shpreh kryeministri Kurti përmes rrjetit social Facebook, derisa sqaroi  se sot jemi në rrugë të mirë drejt mbrojtjes së mjedisit dhe krijimit të një ekonomie të shëndoshë dhe të qëndrueshme.

“Politikat tona inovative për zhvillim dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe ato për mbrojtjen e mjedisit plotësojnë njëra-tjetrën. Investimet që po bëjmë në energjinë e rinovueshme si: projekti Solar 100MW në KEK, projekti për rezervë akumuluese me kapacitetin më të madh në Evropë, projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me panele solare, e shumë projekte tjera që kemi në plan, do të ndihmojnë në reduktimin e emetimeve të gazrave serë”, theksoi mes tjerash, kryeministri Kurti.

Ai më tej shtoi se Kosova, edhe pse nuk ka arritur akoma të bëhet pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike, çdo ditë e më tepër po e dëshmon vendosmërinë e saj në ndërmarrjen e veprimeve për të reduktuar nivelin e ndikimit në mjedis dhe gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjen globale për mbrojtjen e tokës.

“Këtë vit, ne po bëjmë të gjitha përgatitjet që në mënyrë unilaterale të ratifikojmë Marrëveshjen e Parisit, të cilës po i paraprinë Ligji i parë që do të ketë Kosova për Ndryshime Klimatike”, vuri theksin Kurti, ndërkohë që bëri të ditur se qeveria e drejtuar nga ai aktivisht po lobon që Kosova të ketë të drejtën në dialog dhe qasje në fondet e OKB-së për ndryshime klimatike. 

Kryeministri Kurti njoftoi se “nga sot po hapim thirrjen në shumë rreth 2 milionë euro për mbështetjen e komunave në politikat për klimën, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, zhvillimin lokal përmes konceptit të ekonomisë qarkore, lëvizshmërinë dhe rritjen e kapaciteteve të transportit publik me shkallë të ulët të emetimit, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit dhe transformimin digjital.”


MË SHUME NGA Lajme