Për zgjedhjet në veri, Jeremiq: Politika e Vuçiqit ndaj Kosovës, fiasko
Përgatiti: M.Miftari/RTKlive
Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë, Vuk Jeremiq, në një nga takimet e tij me qytetarët serbë në Kragujevc ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si dhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE.
Sikundër njoftojnë mediet serbe, ai, mes tjerash, ka përmendur edhe “planin franko-gjerman”, në të cilin, sipas tij, përcaktohet se Serbia do të pajtohet me pavarësinë e Kosovës.
Ndërkaq, i pyetur rreth zgjedhjeve të së dielës në veri të Kosovës, Jeremiq tha se ishte një "fiasko e dukshme e politikës private të Vuçiqit ndaj Kosovës, që ai ka kryer për 10 vjet..."
“Serbët në Kosovë janë në mëshirë të autoriteteve atje... E gjithë përgjegjësia është e Vuçiqit, i cili mori në duart e tij vendimmarrjen dhe veprimin lidhur me gjithçka në Kosovë”, tha Jeremiq.
Ai, më tej, deklaroi se nuk ishte shumë optimist rreth krijimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe, sepse, sqaroi ai, edhe nëse formohet, serbët nuk do të jenë në gjendje të mbështeten në të.
Jeremiq: Anëtarësimi i Kosovës në KiE, nis të hënën
Kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiç, foli edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili tha se në atë këshill, që nga viti 2011 ka një shumicë të kërkuar prej dy të tretash për pranimin e Kosovës, porse procedura për pranimin do të nisë të hënën, bazuar në marrëveshjen “franko-gjermane”, e cila është provë e mëtejshme se zbatimi i këtij plani tashmë ka filluar.
"Zbatimi i mëtejshëm i këtij plani duhet të ndalet derisa të mos bëhet dëm i pariparueshëm ndaj interesave kombëtare të Serbisë dhe derisa Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur atë është nëpërmjet një referendumi mbi kundërshtimin e marrëveshjes franko-gjermane," tha Jeremiq në Jagodinë, ku mbajti takime me shtetasit, të cilët nënshkruan nismën e Partisë Popullore për të thirrur një referendum.
Jeremiq, më tutje sqaroi se një sesion i komitetit të ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbahet në Strasburg të hënën për të diskutuar pranimin e Kosovës në organizatë.
"Ka dy të tretat e votave të shumicës dhe Kosova padyshim e ka atë shumicë, por ka qenë atje që nga 2011, kështu që procedura nuk ka nisur kurrë më parë. E hëna ndoshta do të jetë mbi bazën e një dokumenti në të cilin pohohet qartë mbi bazën e marrëveshjes së arritur nga Brukseli dhe Ohri," tha Jeremiç.























