KQZ nxjerr rezultatet preliminare: LVV e PDK i marrin nga dy komuna
Ekipi i RTK-së
(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nxjerrë rezultatet preliminare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe sipas tyre, Vetëvendosje ka fituar dy komuna, e dy të tjera i ka fituar Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas këtyre rezultateve, në Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut kanë fituar kandidatët e LVV-së, ndërsa në Zubin Potok dhe në Zveçan ata të PDK-së. Radoniqi: Mbyllen vendvotimet, në 4 komunat veriore votuan 1557 qytetarë
Sipas informacioneve të vazhdueshme që kemi pranuar nga katër komunat e veriut, procesi zgjedhor është zhvilluar pa ndonjë problem.
Kështu deklaroi kryatari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën me gazetarë, teksa njoftoi se të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur.
Ai bëri të ditur se aktualisht anëtarët e këtyre qendrave të vendvotimve janë duke bërë numërimin e votave, derisa njoftoi për numrin e qytetarëve që kanë votuar.
“Numri i qytetarëve që kanë votuar është si në vijim: Leposaviq kane votuar 141 votues apo 1.06%; Zubin Potok kanë votuar 385 votues apo 5.78%; Zveçan 204 votues apo 2.92 %; Mitroivë e Veriut kanë votuar 837 votues apo 4.62 %”, njoftoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ai shtoi më tej se KQZ ka ofruar mundësitë e kushtet për të votuar të gjithë qytetarëve në këto komuna që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre dhe institucionet demokratike.
Me këtë rast, Radoniq ka falënderuar Prokurorinë e shtetit, Policinë e Kosovës si dhe institucionet tjera për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Pas numërimit të fletëvotimeve në të gjitha vendvotime, tha më tej Radoniqi, KQZ do të dalë me rezultatet preliminare do të publikohen ne ueb-faqen e KQZ-së, diku pas orës 20:00.
(E plotësuar)Janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në komunat e veriut të Kosovës
Në ora 19:00, janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, ku janë zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash, derisa në Zveçan e Leposaviq janë mbajtur zgjedhjet edhe për asamble komunale.
Ajo që ka karakterizuar në gjithë këtë proces zgjedhor, mund të thuhet se pjesëmarrja e qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës ka qenë tejet e vogël. Ndërkohë që në komunat me shumicë serbe nuk ka pasur ndonjë qytetarë që ka ushtruar të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
KQZ pritet të dalë me të dhënat më të reja për rezultatin e zgjedhjeve.
(E plotësuar)Në Çabër deri më 18:45 kanë votuar 385 qytetarë
Në Çabër deri pak kohë para mbylljes së qendrës së votimit kanë votuar 385 qytetarë me të drejtë vote.
Në qendrën e votimit në Çabër deri në këtë moment, në orën 18:45 kanë votuar 385 qytetarë shqiptarë, nga 1534 sa kanë të drejtë vote, ndërkohë që këtu kanë pasur mundësi të votojnë edhe 600 qytetarë serbë, por që nuk kanë votuar.
Ndërkaq në qendrën alternative të votimit përballë “Tre Rrokaqiejve” kanë votuar 22 qytetarë, shumica shqiptarë dhe boshnjakë dhe 1 qytetar serb.
(E plotësuar)Përqindja e qytetarëve që kanë votuar në veri deri në ora 15:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur konferencën e tretë për sot. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë se procesi zgjedhor në komunat veriore, deri tani, është duke shkuar në rregull dhe pa asnjë pengesë .
Sipas të dhënave, dalja e përgjithshme në zgjedhje është 2.4 për qind apo 1.092 nga 45.095 qytetarë me të drejtë vote.
Kjo është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 15:00, sipas zëdhënësit të KQZ-së:
"Leposaviq: 110 votues, 0.83%; Zubin Potok: 240 votues, 3.6 %; Zveçan: 145 votues, 2.07% dhe Mitrovicë e Veriut: 597 votues, 3.3 %”, tha Elezi.
Ai njoftoi se konferenca e radhës do të mbahet pas përfundimit të votimit, në ora 19:30.
Live|Radoniqi fton qytetarët të dalin në zgjedhje
(E plotësuar) Kreshnik Radoniqi, kryetari i KQZ-së vizitoi qendrën e votimit në Çabër të Zubin Potokut, i cili nga aty bëri thirrje për qytetarët që të dalin më maskisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Live|Përqindja e qytetarëve që kanë votuar në veri deri në ora 11:00
(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e dytë për sot. Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë se procesi zgjedhor në komunat veriore është duke shkuar në rregull dhe pa asnjë pengesë deri tani.
“Sipas të dhënave, pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00 është si në vijim:
Leposaviq: 28 votues, 0.21 %, Zubin Potok: 65 votues, 1%, Zveçan: 29 votues, 0.41% dhe Mitrovicë e Veriut: 191 votues, 1.05 %”, tha Elezi.
Elezi u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë.
Live|Zgjedhjet në katër komunat në veri
(E plotësuar) Të gjitha vendvotimet për zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan dhe zgjedhjet për kuvende komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit, janë hapur me kohë, raporton RTKlive.
Në qendrën e votimit ne Suhadoll të Mitrovicës kanë votuar 4 qytetarë deri tani.
Në qendrën e votimit në Çabër të Zubin Potokut deri këto momente kane votuar rreth 10 qytetarë.
Sot do të mbahen zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan dhe zgjedhjet për kuvende komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, raporton RTKlive.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka miratuar planin operativ për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi , dje ftoi qytetarët e këtyre komunave, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë dhe të zgjedhin kryetarët e tyre
Fletëvotimet për zgjedhjet që do të mbahen në veri kanë arritur dhe do të shpërndahen në qendrat e votimit.
Katërdhjetë e pesë mijë votues të katër komunave në veri të Kosovës kanë të drejtë vote në zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen të dielën në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Qytetarët e këtyre katër komunave do të mund të votojnë në 19 qendra të votimit, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, ndërsa 13 qendra janë alternative. Në mbledhje u miratua edhe pika për dy ekipe mobile.
Kjo është hera e dytë që tentohet të mbahen zgjedhjet në veri pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave vitin e kaluar. Ndërkohë në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për asamble komunale.