BE:Zgjedhjet në veri, s`ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

BE:Zgjedhjet në veri, s`ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna

Gjeraqina Tuhina/ Bruksel/ RTK

Bashkimi Evropian konisderon se zgjedhjet e mbajtura mё 23 prill ne veri tё Kosovёs nuk ofrojnё zgjidhje afatgjate pёr katёr komunat ku u mbajt procesi elektoral.

Nё njё komunikatё pёr shtyp tё lёshuar nga zёdhёnёsi i BE-sё thuhet se pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk konsiderohet dhe nuk mund të konsiderohet si biznes i zakonshëm, raporton RTKlive.

“Pjesëmarrja në proceset zgjedhore ka për qëllim të sigurojë që zërat e komuniteteve që përfaqësojnë liderët e zgjedhur do të dëgjohen. Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës në nëntor 2022, BE-ja ka qenë vazhdimisht e angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre. Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna”, thuhet nё kёtё deklaratё dhe shtohet se kjo mund tё ndodhё vetёm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim.

Nё kёtё rrafsh kёrkohet qё tё finalizohet sa mё shpejtё puna drejt themelimit tё Asociacionit tё Komunave me shumicë serbe nё Kosovё.

“Është e domosdoshme që urgjentisht të rivendosim një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri. Deri më tani është bërë pak përparim. Prandaj, ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre dhe të përmbushin angazhimet e tyre”, thuhet tutje nё kёtё deklaratё.

Nё anёn tjetёr, Bashkimi Evropian pranon se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

BE-ja mirëpret profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të saj për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.

Në të njëjtën kohë, shprehet keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje.


MË SHUME NGA Lajme