Qeveria: Zgjedhjet ishin të qeta, kryetarëve u urojmë punë të mbarë!
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Qeveria: Zgjedhjet ishin të qeta, kryetarëve u urojmë punë të mbarë!

J.Musliu/RTKlive

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit të mbajtura në katër komunat në veri të  Kosovës.

Sipas Qeverisë, në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, dje u mbajtën zgjedhjet lokale, mbarëvajtja e të cilave ishte e qetë, paqësore dhe pa incidente.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë”, deklaron ekzekutivi i vendit.

“Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje”.

Qeveria e Kosovës deklaron se krahas institucioneve për punën e tyre, falënderon qytetarët për kurajën dhe qetësinë.

“Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve”.

Me këtë deklaratë, kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna, qeveria u uron  punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”.

 


MË SHUME NGA Lajme