KFOR: Zgjedhjet u mbajtën pa incidente, në mënyrë të sigurt e të rregullt
M.Sh/RTKlive
Paqeruajtësit ndërkombëtarë të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, kanë reaguar pas zgjedhjeve të dielës në katër komunat e veriut, duke i konsideruar të qeta e të rregullta.
“...zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës më 23 prill, të cilat u mbajtën pa incidente dhe në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Gjatë gjithë kohës, KFOR-i ka qëndruar në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e interesuara; ka monitoruar situatën në terren dhe ka vazhduar të zbatojë mandatin e saj të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në reagim.
Komandanti i KFOR-it, sipas njoftimit për media, thuhet se mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë akterët përkatës, përfshirë BE-në, OKB-në, OSBE-në dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor për sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet mç tej në reagim.
Për këtë qëllim, sipas KFOR-it, është thelbësore që të dyja palët të shmangin veprimet dhe retorikën përshkallëzuese dhe të fillojnë të zbatojnë angazhimet e tyre në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, plotësisht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mbështeten në arritjet e rëndësishme që janë bërë tashmë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së dhe të sigurojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara”, thuhet mç reagimin e paqeruajtësve të KFO-it.























