Pendarovski për dialogun Kosovë-Serbi: Jemi fqinj, s’jemi palë |Foto-Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Pendarovski për dialogun Kosovë-Serbi: Jemi fqinj, s’jemi palë |Foto-Video

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Në konferencën e përbashkët për media në Shkup, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe homologu i saj maqedonas, Stevo Pendarovksi, iu përgjigjen edhe pyetjeve të gazetarëve.

I pyetur për çështjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se shteti i tij nuk është palë në këto bisedime.

Ai tha se Maqedonia e Veriut as nuk ka qenë dhe as nuk do të jetë palë në këto bisedime.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut vetëm ka qenë mikpritëse e takimit të Ohrit.

Pendarovksi tha se megjithatë, atë çfarë mund t’u thotë miqve kosovarë e serbë, është shembulli i Maqedonisë së Veriut nga përvojat e viteve të kaluara.

“E gjithashtu kompromiset që kemi bërë, por kjo sidoqoftë është vetëm bisedë mes miqsh”, tha Presidenti Pendarovksi.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka dhe do të ketë marrëdhënie të njëjta si me Kosovën edhe me Serbinë. Ne i njohim të dy shtete, kemi ambasada tona atje, ata kanë ambasada e tyre këtu dhe kemi marrëdhënie tërësisht diplomatike”, u shpreh kreu i shtetit maqedonas.

Ai rikujtoi se shteti që drejton nuk ka qëllim të mbajë anë. “Nëse dikush dëshiron të shikojë përvojën tonë e të mësojë diçka nga përvoja jonë, para së gjithash mendoj për Marrëveshjen e Ohrit të nënshkruar në vitin 2001, nuk do të gabojë’, tha ai.

Megjithatë, Pendarovksi tha se specifikat e secilit shtet diktojnë edhe gjetjen e zgjidhjeve specifike.

 “Nuk them se janë identike dhe Marrëveshja e Ohrit mund të reflektojë në një marrëveshje të ardhshme mes Kosovës e Serbisë, por këtu ka modele të kohabilitimit brenda në shtet që mund të dyzohen”.

Sidoqoftë, Pendarovksi rikujtoi e vendimi final se çfarë do të pranojnë Kosova e Serbia në atë dialog, e kanë organet legjitime në Beograd e Prishtinë.

“Ne këtu jemi vetëm fqinj të mirë që duan të shohin sa më shpejtë fundin e kësaj mosmarrëveshje të gjatë e që objektivisht e ngadalëson bashkëpunim rajonal që është shumë i rëndësishëm, si përgatitje për integrimin e tërësishëm në strukturat Euro-Atlantike”.

Osmani-Sadriu: Krimi e korrupsioni në veri, do të luftohen edhe më fort

E pyetur për zgjedhjet e  mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu tha se ligji është njësoj për të gjithë.

Ajo u shpreh se Kushtetuta e Kosovës dhe secilit shtet demokratik, kërkon që secili qytetar të jetë i barabartë para ligjit.

“Kjo nënkupton që ata që e shkelin ligjin të përballen me pasojat”, tha Osmani-Sadriu.

”Rrjedhimisht edhe të gjitha përpjekjet  e institucioneve tona të sigurisë që janë në përputhje me të gjitha standardet më të larta të sigurisë, janë që të vendoset rendi e ligji në veri”.

Presidentja e Kosovës u shpreh se për të luftuar korrupsionin, krimin e kontrabandën, është dashur të ndërmerren qindra aksione.

“Këto krime organizohen nga grupet e larta kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar”.

Presidentja tha se këto veprime të policisë duhet të shtohen sepse institucionet e kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët tanë.

“Siç e dini, qytetarët serbë në veri janë të frikësuar, kërcënuar e shantazhuar pikërisht nga këto struktura kriminale të dirigjuara nga Beogradi”.

Ajo tha se në koordinim të plotë me partnerët e Kosovës, lufta kundër krimit të organizuar dhe strukturave ilegale, do të vazhdojë me intensitet të shtuar.

Osmani-Sadriu: Kosova shkon e përgatitur në takimin 2 majit në Bruksel

E pyetur për rezultatin e mundshëm nga takimi i nivelit të lartë në Bruksel, që do të mbahet me 2 maj, mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu tha se varet nga dy palët negociuese.

“Rezultati i dialogut varet edhe nga roli i ndërmjetësve”, tha Presidentja e Kosovës. “Mbi të gjitha varet nëse bisedimet po zhvillohen mbi parimin e mirëbesimit”.

Megjithatë, në rastin konkret, ajo tha se si Presidente e Republikës së Kosovës mund të garantojë se Kosova do të marrë pjesë edhe në këtë takim, në mirëbesim e do të jetë jashtëzakonisht konstruktive dhe e hapur.

“Gjithnjë duke mbrojtur sovranitetin dhe funksionalitetin e brendshëm të shtetit por edhe duke kontribuar me zgjidhje që i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit afatgjatë”.

Sidoqoftë, se cilat do të jenë veprimet e Serbisë, Osmani-Sadriu tha se mund të nuhaten edhe nga deklaratat e zyrtarëve serbë të ditëve të fundit.

“Por mbi të gjitha nga veprimet e tyre që kanë qenë shkelje të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe aneksit në Ohër”.

Ajo rikujtoi e neni 4 i kësaj marrëveshje, parasheh që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e  Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Por, sjellja e tyre të hënën në Këshillin e Evropës por edhe lobimi kundër votimit pro Kosovës e ka dëshmuar këtë shkelje flagrante”.

E përveç kësaj, ajo tha se edhe ndërhyrja e paligjshme në zgjedhjet e Republikës së Kosovës është shkelje edhe e nenit 2 të kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht dhe e akteve e normave juridike ndërkombëtare të aplikueshme për të gjitha shtetet.

Megjithatë, presidentja kosovare tha se shpreson shumë që miqtë deh aleatët e Kosovës do të sigurohen që të bisedojnë gjatë kësaj periudhe, e të bëjnë presion mbi Serbinë që edhe ajo të respektojë obligimet që ka marrë nga ky proces.

“Proces ky që mendoj se ka qenë hap i rëndësishëm ku Kosova e Serbia trajtohen nga aspekti i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare si dy palë të barabarta sa u përket raporteve ndërshtetërore e ku të dy palët e njohin sovranitetin”.

Ajo tha se në këtë rast, Serbia njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës që e ka kontestuar. “Por e cila nëpërmjet neneve të kësaj marrëveshje është një njohje de-fakto që assesi nuk mund të mohohet nga cilido njëri që e lexon tekstin e marrëveshjes”.

Presidentja Osmani-Sadriu tha se pret nga ndërmjetësit në dialog por edhe aleatët e Kosovës që të sigurohen që për atë të cilin Serbia pajtohet edhe të zbatohet.

Ajo tha se me 2 maj do të ketë diskutime për pika të kësaj marrëveshjeje. “Ju siguroj se Kosova është e përgatitur për secilën pikë dhe jemi duke përgatitje intensive, takime të shumta me kryeministrin, ministrat, ekipet tona që po punojnë në dokumente që do të prezantohen”.

Sidoqoftë ajo tha se një gjë është e qartë. “Kosova vazhdimisht do të respektojë sovranitetin, integritetin e funksionalitetin e  brendshëm dhe Kushtetutën e saj. Gjëra që jemi të bekuar që i mbështesin forte dhe aleatët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë”.  Kosova mirënjohëse ndaj Maqedonisë së Veriut për angazhimin për paqe

Në konferencën e përbashkët me homologun maqedonas, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, shprehu falënderim të veçantë ndaj Maqedonisë së Veriut për mbështetjen siç tha ajo -“të palëkundur ndaj vendit tonë e në veçanti për votën pro Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës”.

Presidentja Osmani-Sadriu tha se tashmë është e ditur dhe e dëshmuar shumë herë se bashkëpunimi i ngushtë me Maqedoninë e Veriut  dhe angazhimi i përbashkët drejt institucioneve Euro-Atlantike, është thelbësore për më shumë paqe, stabilitet e prosperitet.

Ajo tha se të dy vendet nuk janë afër vetëm gjeografikisht por mbi të gjitha janë shtete që ndajnë vizionin e njëjtë për të ardhmen.

“Tanimë kemi nënshkruar mbi 40 marrëveshje biletarale dhe shumë memorandume ndërministrore dhe ka edhe shumë nisma të shumta të tjera për të nënshkruar, marrëveshje të reja ndërkombëtare që janë në proces të finalizimit”.

Presidentja e Kosovës tha se bashkëpunimi mes dy vendeve ka ende potencial për t’u zgjeruar.

Duke iu drejtuar Presidentit Pendarovksi, Presidentja Osmani-Sadriu tha se është e nderuar që viziton shtetin që shumë bashkëkombës të saj shqiptarë e quajnë vend të tyre.

“Përveç kontributit thelbësor të shqiptarëve në shtet ndërtim, shoqërinë e institucionet e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët ishin e vazhdojnë të jenë forcë e rëndësishme shtytëse drejt ndryshimeve pozitive dhe arritjen e aspiratave Euro-Atlantike të Maqedonisë së Veriut”.

Presidentja ritheksoi se është me rëndësi të vazhdohet fuqizimi dhe përkrahja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut në të gjitha sferat e shoqërisë, si qytetarë të barabartë e kontribuues kyç në avancimin e Maqedonisë së Veriut.

Osmani-Sadriu theksoi se nuk dyshim se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve në secilin shtet, përbën shtyllë themelore të një shoqërie demokratike.

“Dëshiroj t’i përshëndes sot në veçanti, të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë dhe pres me padurim që gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, t’i takoj me iniciativat e sukseset e tyre frymëzuese’.

Ajo shprehu edhe vlerësimin e saj pozitiv për angazhimin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në të gjitha nismat rajonale ku edhe Kosova bën pjesë, dhe ku shtetet trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Siç edhe diskutuam, shtete tona mbesin të palëkundura në përkushtimin për paqe e stabilitet të qëndrueshëm e afatgjatë në rajon”, tha Presidentja Osmani-Sadriu, duke rikujtuar se megjithatë, në këtë rajon, ka ende shumë sfida e tendenca për destabilizim, e për të cilat tha se nuk duhet lejuar që të fitojnë.

“Kosova vazhdon të koordinohet kundër këtyre përpjekjeve me aleatë e partnerë, mes të cilëve është edhe Maqedonia e Veriut, me qëllim stabilitetin afatgjatë”.

Në aspektin global, Osmani-Sadriu tha se të dy vendet janë në anën e demokracisë, rrjedhimisht në anën e popullit të Ukrainës, për të cilin tha se vazhdon të përballet me një agresion brutal e të paprovokuar nga Rusia.

“Shtetet fqinje në Ballkanin perëndimor duhet të punojnë së bashku për të kundërshtuar ndikimin malinj të Rusisë, që përbën kërcënim për stabilitet dhe sigurinë rajonale”.

Ajo deklaroi se Kosova e Maqedonia e Veriut kanë rritur bashkëpunimin dhe do të vazhdojnë të thellojnë raportet në shumë fusha, nisur nga arsimi e kultura, shëndetësia, ekonomia, politika e jashtme e mbrojtja.

“Nuk ka fushë ku nuk kemi punuar e nuk do të punojmë sepse ato që na bashkojnë janë vlera dhe vizioni”.

Presidentja Osmani-Sadriu u shpreh se duhet bërë çmos që të lehtësohet komunikimi edhe më tej i qytetarëve të të dy vendeve.

“Në këtë drejtim, shpresojmë të shohim sa më parë finalizimin e autostradës prej 12 km që lidhë Shkupin me pikën kufitare të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

“Kjo rrugë do të na afrojë edhe më shumë dhe do të na krijojë mundësi edhe më të mëdha për shkëmbime të shumanshme”.

Presidentja kosovare tha se ardhmja e të dy vendeve është në familjen e shteteve Euro-Atlantike.

Maqedonia e Veriut e gatshme për ndihmë Kosovës në integrime e dialog

Një vit e gjysmë pas vizitës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në Kosovë, është Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, që po zhvillon vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e përbashkët për media, pas takimit Pendarovski-Osmani në Shkup, që zgjati rreth një orë, të dy presidentët dolën në konferencë për media.

Fillimisht Presidenti Pendarovski  tha se ky është takimi i katërt mes tyre dhe e gëzon fakti se është vendosur një dinamikë e tillë kontaktesh në nivelin më të lartë politik.

Ai tha se ka kënaqësinë që me Presidenten Osmani-Sadriu kishte bisedë kuptimplote mbi temat aktuale, dypalëshe, rajonale e integrimet evropiane.

Pendarovksi tha se në bisedë janë përshëndetur trendët pozitive të bashkëpunimit mes dy vendeve, përkatësisht ministrive të të dy shteteve.

Pendarovksi tha se sa i përket bashkëpunimit ekonomik, Republika e Kosovës është në mesin e  20 vendeve me të cilat Maqedonia e Veriut ka shkëmbimin më të madh tregtar.

“Vetëm gjatë vitit 2022, shkëmbimi tregtar ka qenë 482 milionë euro”, tha Pendarovksi, duke shpresuar se trendi i tillë edhe më tej të vazhdojë e të rritet.

Sa i përket sfidave rajonale, Presidenti Pendarovksi tha se është dakorduar me Presidenten Osmani-Sadriu se të dy vendet kanë rol të rëndësishëm e aktiv, në përpjekje të përbashkëta për arritje të stabilitetit të qëndrueshëm të fqinjësisë së mirë e prosperitetin ekonomik në këtë pjesë të Evropës.

“E ardhmja e përbashkët në strukturat euro-atlantike është investim për stabilitetin e prosperitetin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovksi.

Ai tha se Maqedonia e Veriut rikonfirmon mbështetjen e aspiratave euro-atlantike të Republikës së Kosovës.

“Maqedonia e Veriut është e gatshme të ndajë përvojat e veta në lidhje me proceset reformuese si në rrugën drejt BE-së, ashtu edhe në anëtarësimin në NATO”.

Presidenti maqedonas deklaroi se shteti i tij e mbështet Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjen e Kosovës në formate të ndryshme rajonale e kontinentale të bashkëpunimit.

Pendarovksi tha se temë e pashmangshme ishin edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

“Riafirmova qëndrimin tonë se përshëndesim arritjen e marrëveshjes për pranimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, dhe ku zbatimi i të cilit do të kontribuojë mbi paqen dhe stabilitetin, sigurinë e zhvillimin, jo vetëm të fqinjëve tanë, por edhe të rajonit në tërësi”.

“Dua të falënderoj edhe Beogradin edhe Prishtinën për mbajtjen në shtetin tonë të një sesioni të rëndësishëm të dialogut të tyre që vetëm e konfirmon politikën parimore të cilën e udhëheqim e të cilën në vitet e kaluara, në bazë të disa kompromiseve të arritura e përforcuam kohezionin e brendshëm në shoqërinë shumë etnike maqedonase, e cila kontribuoi në stabilitetin rajonal dhe e ktheu vendin në institucionet vitale të aleancës perëndimore, pas viteve të gjata të vetë izolimit të vetë imponuar”.

Ai tha se vendi i tij është i gatshëm që edhe në cilësinë e kryesuesit aktual të OSBE-së, ta ndihmojë këtë proces, sidomos në fazën e zbatimit të pjesëve të caktuara nga marrëveshja e arritur. “Kuptohet, në pajtueshmëri me të dy palët e përfshira”.

Pendarovski tha se me homologen kosovare ka biseduar edhe për mundësinë e përparimit të të drejtave të maqedonasve në Kosovë në një kohë, kur sipas tij, për fat të keq -“disa propaganda të huaja janë aktivizuar përsëri”.

Kreu i shtetit maqedonas tha se në këtë drejtim, qëllimi i përbashkët është afrimi i qytetarëve të të dy vendeve.

 

Presidentja Osmani nis vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut|Video-Foto

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sapo ka filluar vizitën e saj dy ditëshe në shtetin fqinj, Maqedoninë e Veriut.

E ftuar nga homologu i saj, Stevo Pendarovski, presidentja Osmani, bazuar në agjendën zyrtare, do të ketë edhe shumë takime të tjera.

Në orën 10:00, presidenti Pendarovksi, e priti me ceremoni zyrtare, presidenten Osmani e cila pas takimit me homologun maqedonas, pritet që bashkarisht të mbajnë edhe një konferencë për media.

Më pas, Osmani do të ketë edhe takime të tjera, përfshirë kryetarine  Kuvendit të Maqedonisë së veriut, Talat Xhaferi, kurse me një fjalim, do t’u drejtohet edhe deputetëve të këtij vendi.

Mes tjerash, Osmani do të ketë takime e vizita, përveç në Shkup, edhe në Tetovë e Manastir.

Osmani sot viziton Maqedoninë e Veriut, me ftesë të Pendarovskit

F. Sertolli / RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të homologut Stevo Pendarovski, (sot) e mërkurë viziton zyrtarisht Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të kësaj vizite, Osmani pas takimit me homologun Pendarovski dhe konferencës së përbashkët për medie, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Më pas, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovacevski. Përgjatë ditës, ajo po ashtu do të ketë takime të ndara edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme, njofton Presidenca e Kosovës.

Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova në komunën e Çairit.

Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, presidentja Osmani. Siç thuhet në njoftim, do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,  Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir.

Gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM).

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Vizitën në këtë komunë, presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.


MË SHUME NGA Lajme