Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, përplasje mes Bajçinovcit e Qalajt|Video
BKT
Lajme

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, përplasje mes Bajçinovcit e Qalajt|Video

M.Miftari/RTKlive

Seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës, e ftuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ku u debatua për situatën në KEK, pas burgosjes së Nagip Krasniqit, kryeshef, u diskutua në emisionin RTK Prime.

Kjo seancë për deputetin Mefail Bajçinovci, nga LVV, dhe për Rashit Qalajn, nga PDK, ishte si një lloj arene mes pushtetit e opozitës, por që patën vërejtje se në Kuvend nuk duhet debatuar për raste që nuk kanë marrë formë përfundimtare nga Gjykatat përkatëse.

Deputeti Bajçinovci pati vërejtje në punën e Prokurorisë se po bën atë në mënyrë selektive. Ndërkaq, deputeti Qalaj shtoi se ndaj institucioneve të sigurisë e të drejtësisë nuk duhet bërë ndërhyrje nga eksponentët e politikës.

Qalaj: U shkarkova nga detyra me ndërhyrje politike nga ish-qeveria Hoti

Qalaj kujtoi kohën kur ishte drejtor i Policisë se Kosovës, dhe  deklaroi për herë të parë publikisht, se është shkarkuar nga detyra me ndërhyrje politike nga ish-qeveria Hoti.

Në ‘RTK Prime”, deputeti Qalaj tha se shkarkimi i tij është bërë pasi që ishte arrestuar tashmë i ndjeri Haki Rugova ish-kryetar i Istogut. “ Është e vërtetë që për këtë arsye jam shkarkuar nga detyra, nga ish-ministri i Brendshëm Agim Veliu”, tha  Qalaj.

Ai deklaroi se ish-ministri Veliu i kishte kërkuar që nëse ka mundësi Rugova të mos dërgohej në paraburgim por të trajtohej si rast në procedurë të rregullt.  Ish-drejtori I Policisë, tash deputet i PDK-së në Kuvend, tha se për këtë çështje është në proces gjyqësor me ish-ministrin Veliu dhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti.

Prokuroria është e mirëseardhur të bëjë hetimin për pasurinë time, deklaron Qalaj

Gjithashtu, ai përmendi një deklaratë të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili në një emision në RTK Prime ka përmendur emrin e tij për një aferë korruptive, më konkretisht në “Rastin Brezovica”, sipas të cilit Qalaj dhe ish-drejtori i AKI-së do të duhej të ishin subjekt i hetimeve.

Deputeti Qalaj, lidhur me këtë akuzë, tha se Prokuroria është e mirëseardhur të bëjë hetimin për pasurinë e tij për çdo ditë.

“Dhe nëse Prokuroria e Shteti gjen çkado në lidhje me pronën time është e lirë që ta demolojë dhe kurrë nuk do të dëgjoni ndonjë fjalë prej meje”, u shpreh Qalaj në RTK Prime.

Ai më tej shtoi se as ministri i Brendshëm, as ministrja e Drejtësisë, as kryeministri e as  deputetët, nuk duhet të flasim për institucionet e drejtësisë e të sigurisë, për shkak se i bie se  po ndërhyjmë.

Bajçinovci shpreh kritika ndaj Prokurorisë për mosveprimin ndaj personave kriminalë në veri të vendit

Ndërsa lidhur me situatën në veri të vendit, deputeti Bajçinovci shprehu kritikën ndaj Prokurorisë për mosveprimin ndaj personave kriminalë që kanë penguar Policinë e Kosovës në kryerjen e punëve të tyre, ndërkohë që deputetit Qalaj, lidhur me veriun, tha se atje që nga shtatori i vitit të kaluar ka pasur një mori incidentesh, mes tjerash edhe barrikada disajavëshe, ku vetëm Policia e Kosovës ka qenë e bllokuar që të mos lëvizë, mirëpo është arritur një marrëveshje dhe për më tepër ato barrikada nga faktori ndërkombëtar janë vlerësuar si paqësore, derisa shtoi se nuk është dëgjuar asnjë deklaratë, qoftë nga kryeministri, qoftë nga presidentja për kriminelët që kanë qenë në barrikada.

Ndërkaq lidhur me arrestimin e ish-policit Pantiq, i cili ka qenë pjesëmarrës në barrikada, deputeti Bajçinovci theksoi se ai është arrestuar, por që nuk ka qenë e mundur të transferohet në Gjykatë për shkak të barrikadave në veri, ndërkohë që deputeti Qalaj pati vërejtje në reagimin e shtetit, ngase situata e krijuar duhej një vendim politik.

Bajçinovci: Vuçiqi përmes Listës Serbe frikësoi popullatën serbe

E për zgjedhjet e fundit në veri të vendit, deputeti Bajçinovci theksoi se Vuçiqi përmes Listës Serbe dhe kriminelëve të tjerë serbë, të cilët kanë frikësuar popullatën serbe atje ka bërë që dalja në zgjedhjet atje të jetë minimale.

Ndërkaq deputeti Qalaj shtoi se si subjekt politik kanë kërkuar nga KQZ e nga presidentja e vendit e nga kryeministri që zgjedhjet të mos kushtëzohen nga një subjekt politik në pafundësi, por që të respektohet Kushtetuta e vendit, derisa kujtoi se do të kenë sfida të reja institucionet që do të dalin pas këtyre zgjedhjeve

"Radojçiq nuk është problemi, Vuçiqi është ai që shkakton probleme, Radojçiqi është njeri i terrenit, i cili mbështetet nga presidenti serb Vuçiq", tha, mes tjerash, Qalaj.


MË SHUME NGA Lajme