Kurti e Konjufca kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës
RTKlive
Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë.
Në përvjetorin e kësaj masakre dhe në ditën e të pagjeturve, Kurti e Konjufca kanë bërë thirrje për drejtësi dhe efikasitet të këtij sistemi.
Kryeministri Kurti tha se 24 vjet më parë, shqiptarët u vranë në mënyrë mizore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.
“24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë”, ka thënë Kurti.
Ai potencoi se dje në mbledhjen e qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Po ashtu, ai tha se kanë shtuar buxhetin për prokurorinë, me shtimin edhe të numrit të prokurorëve.
“Në mesin e të vrarëve këtu në Mejë janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. Pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhje, feje. Ju i shihni këtu varret bashkë të myslimanëve dhe katolikëve, vetëm pse ishin shqiptarë. Shqiptarët ishin bashkë edhe ne luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë. Dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhimbje si martirë e dëshmorë të kombit tonë”, ka shtuar Kurti.
Kurti edhe në Mejë ka kërkuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë por edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe se prioriteti kryesor duhet të jetë drejtësia, deklaroi ai .
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se sot po kujtojnë aktin më të madh të gjenocidit qe ka ndodhur në Kosovë.
Konjufca i thirrje drejtësisë vendore e ndërkombëtare që ta kryejnë punën, meqë dëshmitarët janë ende gjallë dhe kanë parë se çfarë ka ndodhur 24 vjet më parë.
“Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tonë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse që 24 vjet janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mëngjesit deri në mbrëmje, 24 vite duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre”, shtoi ai.
”Prandaj sot dhe jo vetëm sot bashkëndjejmë me familjet e martirëve të Mejës por edhe të gjithë Kosovës. I përkulemi kujtimit dhe sakrificës madhore, frymëzohemi për ta dashur dhe përparuar gjithnjë e më shumë shtetin që sot e gëzojmë falë gjakut të tyre”, ka thënë Konjufca.
























