Gërvalla në OKB: Sjellja agresive e Serbisë kërcënon paqen në rajon
BKT
Lajme

Gërvalla në OKB: Sjellja agresive e Serbisë kërcënon paqen në rajon

RTKlive

Ministrja e Punëve të Jashtme si dhe për Diasporë e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, në mbledhjen e KS të OKB-së, ka folur për situatën në Kosovës, si dhe për gjendjen në rajon.

Që në fillim, ministrja Gërvalla shprehu vërejtjen në mbledhje për, siç tha ajo, moslejimin e komunikimit në gjuhën shqipe, njësoj si ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Më tej ministrja Gërvalla tha se sjellja agresive e Serbisë kërcënon paqen në rajon, aleanca Rusi- Serbi. Por arritjet e shtetit tonë, si dhe pozicioni ynë në Evropë e botë, paraqet  Kosovën si faktor të rëndësishëm.

Ajo pati vërejtjet ndaj raportit të UNMIK-ut për Kosovën.

“Ndërsa sa i përket raportit të UNMIK-ut, mund të themi në mënyrë të përgjithësuar se nga 100 pika, gati 90 prej tyre paraqesin gabime të ndryshme, të vogla, të mesme të mëdha, por edhe ka gjëra që mungojnë në raport. Boshllëqet të vëna nga UNMIK-u janë gjëra të njohura. Ne jemi duke punuar me përkushtim për paqe e stabilitet, ndonëse UNMIK-u nuk po i kontribuon paqes e stabilitetit në rajon” u shpreh ministrja Gërvalla.

Ajo më tej shtoi se në raportin e UNMIK-ut “Procesi i Berlinit” përmendet vetëm si fusnotë. As samiti i mbajtur në Berlin, në nëntor të vitit 2022; as samiti i parë i Ballkanit, i mbajtur në Tiranë, nuk përmendet në raport, edhe pse "Procesi i Berlinit" është procesi më i rëndësishëm që paraqet një përpjekje evropiane për Ballkanin.

Gërvalla më tej përmendi marrëveshjet që janë arritur në Berlin, ku janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, si, bie fjala, për diplomat, për njohjen të letërnjoftimeve reciproke, të cilat i kanë miratuar Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe Shqipëria dhe afër nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve është edhe Mali i Zi, ndërkohë që, siç u shpreh ministrja Gërvalla, shtetet që janë nën ndikimin e Vuçiqit e Daçiqit, janë duke bllokuar procesin, ndonëse Vuçiq ka nënshkruar marrëveshjen, por propaganda vazhdon.

Ambasadori i SHBA-së në OKB: Asociacioni në harmoni me Kushtetutën e Kosovës

Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës në KS të OKB-së në fillim të fjalimit të tij vuri në dukje përkushtimin e SHBA-së  për stabilitet në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht, sikundër theksoi si, në këto kohë të tensioneve të shtuara në Evropë.

Ai, më tutje, tha se së bashku me partnerët evropianë  janë të angazhuar në sundimin e ligjit, për paqe e shoqëri multietnike në Ballkanin Perëndimor, ku, sipas tij, kjo është një mundësi që palët në dialog të mund të ecin përpara.

Përfaqësuesi i SHBA-së falënderoi përfaqësuesin  lartë të BE-së, Josep  Borrell, si dhe emisarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, për angazhimin e tyre në këtë proces, derisa lavdëroi palët në dialog në arritjen e marrëveshjes, ligjërisht të detyrueshme,  në Bruksel e Ohër.

Ai inkurajoi palët në dialog që të ecin tutje në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mënyrë që t’i shmangin krizave, që mund të pengojnë progresin, teksa shfaqi shpresën që në takimin e radhës, që do të mbahet më 2 maj, në Bruksel, të shihet më shumë frymë e re, ndërkohë që kujtoi formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila duhet të jetë në harmoni me ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

Ambasadori shqiptar në KS OKB: Presidenca nuk ishte e paanshme në rolin e saj

Ambasadori i Shqipërisë në OKB në fillim të fjalës së tij ngriti çështjen e përdorimit të gjuhës në KS të OKB-së, ndërsa sqaroi se anëtarët e Këshillit e mbështetën Kosovën që të flasë në gjuhën që ata zgjedhin, teksa shtoi se në bazë të rregullit 44 flet për mënyrën e të shprehurit të përfaqësuesve të shteteve në KS, të cilët duhet të flasin në gjuhën e KS dhe të ofrojnë përkthim në njërën nga ato gjuhë, të cilën gjë e kishte ofruar Kosova për shërbime përkatëse.

Por, sipas ambasadorit të Shqipërisë, këtë kërkesë të Kosovës e ka kundërshtuar Rusia edhe me shkrim.

“Presidenca nuk ishte e paanshme në rolin e saj, edhe pse shkon kundër rregullit të frymës së multilingualizmit, në frymën e OKB-së në këtë dhomë”, tha ambasadori i Shqipërisë në KS të OKB-së, derisa sqaroi se në të kaluarën ka pasur raste kur është përdorur një gjuhë tjetër në këtë Këshill nga të dy delegacionet.

Ai falënderoi ministren Gërvalla që u tregua e kujdesshme ndaj kësaj çështjeje për të mos e vënë këtë Këshill në pozitë të pavolitshme.

Ambasadori i Shqipërisë më tej foli për të arriturat e Kosovës në rrugëtimin e saj në integrimet euroatlantike.

Ambasadori i Shqipërisë, mes tjerash, përmendi marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër, në normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Ai vuri theksin në pikën katër ku Serbia zotohet se nuk do ta pengojë Kosovën në anëtarësimin e  saj në organizatat ndërkombëtare, ndonëse, siç u shpreh ai, ishte i befasuar nga deklaratat e Daçiqit në KS të OKB-së për këtë çështje, edhe pse, vetë Daçiqi, i bënte thirrje Kosovës që t’i përmbahet marrëveshjeve të arritura.

Mbretëria e Bashkuar e Franca kërkojnë respektimin e marrëveshjeve të arrira

Gjatë viteve të fundit demokracia e Kosovë ka treguar pjekurinë e saj. Aktivitetet e saj janë ranguar në nivele më të larta n luftimin e korrupsionit e sundimin ligjit

Ne njohim rolin e rëndësishëm të UNMIK-ut edhe në mbështetjen e Kosovës në 24 vjetët e kaluara, si dhe punën që vazhdon të bëjë edhe në këto ditë.
“Ne mbështesim rezolutën 1244. Kushtet në terren megjithatë janë të papranueshme që nga koha 1999. Dhe praktikat e vendeve të tjera tregon se është për një rishikim të ligjeve në UNMIK se si UNMIK mundet t’i përshtatet kushteve aktuale në Kosovë”, deklaroi ambasadori i MB në OKB.

Ai më tej ka thënë se mungesa e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë ka ndikuar në stabilitetin në rajon, derisa theksoi mbështetjen për marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër në ndërmjetësimin e BE-së.

“Tani është koha që të dyja palët të angazhohen për një dialog të mirëfilltë në mirëbesim, duke shmangur retorikën për të arritur një normalizim të marrëdhënieve mes të dyja vendeve”, ka deklarua ambasadori i MB-së në OKB.

Ai ndër të tjera vuri në dukje se Kosova e Serbia janë zotuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të dyja palët duhet të angazhohen që ky asociacion të themelohet sa më shpejtë.

“Inkurajoj që të dyja palët të tregojnë pjekurinë e maturinë politike për të zbatuar  atë që është arritur me marrëveshje, sepse është në interesin e qytetarëve në të dyja anët”,ka shtuar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, duke shtuar se  përshëndet punën e KFOR-it dhe të EULEX-it në Kosovë , teksa shfaqi kërkesën në formimin e institucioneve funksionale në veri të vendit, që u shërbejnë interesave të atyre që i kanë votuar.

Ndërkaq përfaqësuesja e Francës në OKB tha se raporti i sotëm po bëhet në kohën kur po arrihen rezultate të mira në raportet mes Kosovës e Serbisë, ndonëse ajo shprehu vërejtjen në tonalitetet e shfaqura nga të dy ministrat e Jashtëm të vendeve përkatëse.

Ajo vuri në dukje bashkëpunimin e liderëve të Kosovës e Serbisë që kanë treguar ndaj përfaqësuesve të BE-së në arritjen e marrëveshjeve në Bruksel e Ohër, derisa shfaqi shpresën që në të ardhmen të mos komprometohen arritjet e shënuara deri më tani, duke përmendur krijimin e Asociacionit.

 

Këshilli i Sigurimit diskuton për Kosovën

Gjatë prezantimit të raportit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziade, bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur përkrahje për kornizën e re të dialogut.

REL

Ziade tha se gjatë vitit të fundit janë evidentuar sfida të ndryshme, “por edhe tentime për t’i afruar drejt normalizimit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

"Liderët duhet të marrin hapa të përgjegjshëm për t’i zvogëluar gjasat për ngecje në cështjet që kanë degraduar besimin publik gjatë muajve të fundit”, tha ajo, duke përmendur si shembuj tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri dhe bojkotimit e zgjedhjeve të së dielës, 23 prill, nga serbët.

Ajo tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbi jo vetëm që i kishin larguar dy palët nga tentimet për normalizim të marrëdhëniet përmes dialogut, por edhe i kishin vënë “afër skajit për konfrontim fizik”.

Duke folur për zgjedhjet në veri, Ziade theksoi se ato ishin paqësore, por “në të njëjtën kohë, pyetja e përfaqësimit duhet të adresohet si pjesë e procesit politik më të gjerë”.

Tutje, Ziade shtoi se gjatë punës së saj, “sentimentet më të shpeshta me të cilat përballem janë frustrimi dhe shqetësimi për të ardhmen e pasigurt. Por, po aq e shoh edhe shpirtin dhe vullnetin për të punuar për ta krijuar një realitet më të mirë”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton raportin e ri gjashtëmujor të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Në seancën që po mbahet në Nju Jork dhe kryesohet nga Rusia, Kosova dhe Serbia përfaqësohen nga ministrat përkatës të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwartz dhe Ivica Daçiq.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se raporti i prezantuar ka gabime dhe sa disa ngjarje të rëndësishme mungojnë, teksa shtoi se “këto mangësi nuk janë të reja”.

“UNMIK është bërë faktor destabilizues dhe nuk i shërben stabilitetit dhe paqes në rajon. Me këtë raport, e ka dokumentuar edhe se sa jo i domosdoshëm është bërë”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo tha se Serbia po tenton ta bllokojë integrimin e Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe tha se e rëndësishme të ndërmerren masa ndaj veprimeve të tilla është.

“Gjithnjë e më shumë zëra në Evropë – nga Kosova e në Holandë dhe Gjermani - po bëjnë thirrje për sanksione ndaj Serbisë. Sepse nuk negociohet me mashtrues, por i përball ata me pasojat”, shtoi ajo.

Gërvalla gjithashtu tha se presidenti i Këshillit të Sigurimit për muajin prill, ambasadori rus Vassily Nebenzia, ia mohoi asaj të drejtën për ta mbajtur fjalimin e saj në shqip.

Ndërsa, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri thirrje që marrëveshjet e nënshkruara më parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohen.

“Është e nevojshme të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ky është mekanizmi i vetëm i mundshëm për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”, tha Daçiq.

“Prishtina po e shmang qëllimshëm përmbushjen e këtij obligimi”.

Ai gjithashtu kërkoi implementimin e plotë të rezolutës 1244 të OKB-së.

“Ju duhet ta anuloni, ose ta respektoni. Nëse ju nuk e respektoni [Rezolutën 1244], atëherë vihet në pyetje se pse ekziston OKB-ja”, tha Daçiq.

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Në raportin për periudhën nga 16 shtatori 2022 deri më 18 mars 2023, Guterres përshëndeti Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e zbatimit të saj, për të cilin liderët e të dyja palëve së fundi arritën marrëveshje.

Potenciali i një kornize të re dialogu

Guterres, në raport, vlerësoi se korniza e re e dialogut ka potencial për të çuar para procesin drejt arritjes së zgjidhjeve afatgjata.

Ai tha se angazhimi konstruktiv në zbatimin gjithëpërfshirës të Marrëveshjes do të jetë i nevojshëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar ripërtëritjen e tensioneve dhe konflikteve.

"Palët janë zotuar plotësisht t'i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe t'i përmbushin të gjitha detyrimet në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Kjo është edhe më e rëndësishme, sepse ngjarjet gjatë periudhës që u vëzhguan, sollën tensione në një nivel krize, duke rezultuar me ngecjen më serioze që nga fillimi i procesit të dialogut [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] në vitin 2011”, shkroi Guterres.

Ai shtoi se “retorika e intensifikuar dhe nxitëse nga të gjitha anët, vendosja e postblloqeve, incidentet e shumta të sigurisë dhe protestat në veri të Kosovës e kanë rritur rrezikun për dhunë”.

“Incidentet e natyrës etnike, përdorimi i armëve të zjarrit dhe lëndimet - si në mesin e civilëve, ashtu edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës - si dhe shënjestrimi i dukshëm i gazetarëve dhe aktorëve ndërkombëtarë të sigurisë, përbënin shqetësim të veçantë. Të gjitha palët duhet të tregohen të përmbajtura dhe të sigurojnë që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore nëpërmjet dialogut, jo përshkallëzimit[të dhunës]”, shkroi Guterres.

Çelësi i kthimit në institucione

Në raport, ku nuk janë përfshirë zgjedhjet lokale që u mbajtën javën e kaluar në katër komuna në veri të Kosovës, Guterres deklaroi se përparimi i mëtutjeshëm në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është "kyç për krijimin e kushteve për kthimin e përfaqësuesve serbë të Kosovës në institucionet e Kosovës në veri”.

Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

 


MË SHUME NGA Lajme