Kryetarët e komunave kërkojnë takim me kryeministrin Kurti
BKT
Lajme

Kryetarët e komunave kërkojnë takim me kryeministrin Kurti

M.Miftari/RTKlive

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë kërkuar takim me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar për të trajtuar nevojat, kërkesat e shqetësimet që kanë komunat e qytetarët.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, në “Lajmet e Fundit” tha se ka shumë tema që  duhet trajtuar me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Ai tha se në takimet që kryeministri Kurti mban me kryetarët  komunave, nuk trajton problemet që kane komunat, por për temat që ai i zgjedh vetë, teksa shtoi se në disa raste këto takime janë të mbyllura për mediat, duke penguar, kështu, informimin e qytetarëve se për çfarë është biseduar në ato mbledhje.

“Ne kemi kërkuar që të jemi transparent ndaj qytetarëve dhe komunat, ueb faqet e tyre tani janë të bllokuara për shkak të nivelit qendror, duke pamundësuar qytetarët të informohen”, deklaroi Ibrahimi në “Lajmet e Fundit”, në RTK.

“Nëse qeveria kërkon që niveli lokal të jetë transparent, atëherë edhe niveli qendror të jetë transparent”, shtoi Ibrahimi.

Ai sqaroi se në takimin e radhës do t’i ftojmë mediat që të jenë prezentë.

Ibrahimi bëri të ditur se sot pasdite kishte marrë një përgjigje nga qeveria për takimin me kryetarët e komunave, ku thuhet se do të ndodhë me 15 maj, mirëpo, shtoi ai, pa sqaruar orën, as vendin,as agjendën e as temat për të cilat do të diskutohen.

“Mendoj se qeveria duhet të jetë më serioze ndaj kryetarëve të komunave”, tha Ibrahimi, derisa shtoi se disa nga problemet që ballafaqohen kryetarët e komunave ende nuk kanë marrë mbështetjen e tyre, duke përmendur dëmet e vërshimeve, pastaj tatimi në pronë, për ç’gjë ai fajësoi ministrin Murati për mosaftësi për të kryer punën si duhet.

“Ministri Murati, pa asnjë konsultë me komunat, shkon e merr vendime për plotësim- ndryshimin e ligjit  për tatimin në pronë, ligj i cili ka ngelur në Kuvend, i cili shpresojmë që ky institucion të jetë më i ndërgjegjshëm e të marrë vendim më shpejtë”, tha Ibrahimi.

Ai shtoi se komunat me këtë projektligj dëmtohen me miliona euro.


MË SHUME NGA Lajme