Ballkani merr barazim nga Dukagjini në momentin e fundit
BKT
Sport

Ballkani merr barazim nga Dukagjini në momentin e fundit

Uran Krasniqi/RTKLive

Ballkani nuk ka lejuar që të mposhtet nga Dukagjini i Klinës dhe ta humbasë garën për titull. 

Për nëntëdhjetë minuta Dukagjini i Klinës ishte në avantazh dhe përshtypja ishte krijuar për një disfatë të suharekasve, duke bërë që nga një situatë e tillë të mund të përfitojë Drita e Gjilanit, e cila vazhdon të mbetet në krye të tabelës së Superligës së Kosovës.
Në xhiron e tridhjetë e një, ndeshja në Klinë, në stadiumin "18 qershori" ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. 
Khomutov në minutën e shtatëdhjetë e dytë ka shënuar golin për Dukagjinin, por skuadra e Ilir Dajës nuk është dorëzuar dhe e ka gjetur barazimin në kohën shtesë përmes Berishës. 
Pas kësaj ndeshje, skuadra e drejtuar nga Armend Dallku gjendet në pozitën e pestë në tabelë me dyzet e një pikë, derisa Ballkani vazhdon të mbetet në vendin e dytë me gjashtëdhjetë e dy pikë. 
Ndërkohë Prishtina dhe Llapi kanë luajtur baraz pa gola. Pas kësaj ndeshje Prishtina gjendet në vendin e katërt me dyzet e dy pikë, kurse Llapi në vendin e gjashtë me dyzet e një pikë. 
Gjithashtu pa gola dhe baraz kanë luajtur edhe Trepça '89 dhe Gjilani. Pas kësaj ndeshje, Trepça '89 gjendet në pozitën e tetë me tridhjetë e katër pikë, ndërsa Gjilani në vendin e tretë me dyzet e shtatë pikë.