Bislimi në selinë e OBD-së, për avancim bashkëpunimi me Doganat e Kosovës
BKT
Lajme

Bislimi në selinë e OBD-së, për avancim bashkëpunimi me Doganat e Kosovës

M.Miftari/RTKlive

Sot në Bruksel, në selinë e Organizatës Botërore të Doganave (OBD), zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u mirëprit në takim nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Kunio Mikuriya.

Sikundër bën të ditur zyra për informim e Kryeministrit, Sekretari i Përgjithshëm Mikuriya, e njoftoi zëvendëskryeministrin Bislimi për vizitën e zhvilluar në Kosovë gjatë javës së kaluar duke potencuar se ka pasur një qëndrim të frytshëm në vend. Tutje ai vlerësoi lart të gjitha takimet e zhvilluara dhe shtoi se është impresionuar me zhvillimet në Kosovë dhe vullnetin e institucioneve qeveritare të Kosovës për reforma të rëndësishme duke përfshirë ato doganore.

Gjithashtu u vlerësuan pozitivisht të arriturat në Kosovë duke shtuar se OBD-ja do të ofrojë mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbështetëse në kuadër të burimeve njerëzore sipas programeve të OBD-së.

Tutje, ai ndau qëllimin e përbashkët për avancimin e  bashkëpunimit mes OBD-së dhe Kosovës në lehtësimin e tregtisë dhe qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve, rritjen e bashkëpunimit me të gjithë sektorët relevant dhe njëkohësisht të përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme.

Ndërkaq, nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi për kohën e ndarë e vizitën e bërë së fundmi në Kosovë duke e vlerësuar atë si të rëndësishme dhe me peshë të veçantë. Ai po ashtu e falënderoi për vlerësimin e lartë ndaj të arriturave të Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar me qëllim të rritjes së kapaciteteve si dhe forcimit të bashkëpunimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është dhe do të vijojë të jetë e përkushtuar në qëllimin e saj në zbatimin e reformave sipas standardeve ndërkombëtare. U theksua rëndësia dhe roli kyç që ka Dogana e Kosovës për shtetin dhe se mirëpriten vlerësimet e OBD-së për të arriturat e saj që shërbejnë edhe si model për administratat tjera doganore”, ka thënë Bislimi.

Siç njoftohet në komunikatë, palët u pajtuan se bashkëpunimi mes OBD-së dhe Kosovës do të vijojë të thellohet dhe format e bashkëpunimit do të zgjerohen më tutje.

 


MË SHUME NGA Lajme