Konjufca: Nuk pres që Serbia të ndryshojë shpejt
Qendresa Duraku | RTK
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk pret marrëveshje me Serbinë dhe se institucionet e vendit duhet të jenë në krye të detyrës për çfarëdolloj situate, duke pasur parasysh se kemi një shtet agresor si fqinj.
“Është vështirë të arrihet një marrëveshje për arsye se Serbia e dëshiron Kosovën si pjesë të saj. Ne, e kemi çliruar Kosovën me shumë sakrifica dhe me një çmim shumë të lartë dhe këto janë qëndrime të papajtueshme. Unë nuk pres që Serbia do të ndryshojë shpejt dhe që ta kemi një Serbi demokratike e cila e pranon popullin e Kosovës si subjekt sovran dhe Kosovën si shtet të pavarur”, ka theksuar Konjufca pas homazheve me rastin e 24-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë.
Prandaj, ka thënë ai, duhet ta vazhdojmë drejtimin tonë dhe kjo sipas tij është mbrojta e interesave vitale kombëtare e shtetërore.
“...Në të njëjtën kohë të përgatitemi dhe të organizohemi që institucionet tona të jenë në krye të detyrës për çfarëdo situate në të cilën mund të ndodhemi përball këtij shteti agresor, i cili aspak nuk ka ndryshuar politikisht prej qëndrimeve që i ka pas gjatë viteve të luftës dhe gjatë gjenocidit në Kosovë”, ka shtuar Konjufca.























