Ngecin marrëveshjet e Procesit të Berlinit, shkak Bosnje e Hercegovina
J.Musliu/RTKlive
Vetëm Bosnje e Hercegovina nuk lëvizur drejt zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e sot edhe Serbia, kanë ratifikuar tri marrëveshjet për të cilat janë dakorduar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Derisa Qeveria e Malit të Zi ato tri marrëveshje i ka votuar dhe pritet t’i procedojë në Kuvend për ratifikim, është vetëm Bosnje e Hercegovina ajo që nuk ka lëvizur fare në këtë drejtim.
Millorad Dodik, kreu i Republikës Serbe të Bosnje e Hercegovinës refuzon të njohë dokumentet e udhëtimit të Republikës së Kosovës.
Këto tri marrëveshje kanë të bëjnë me njohjen e kualifikimeve të larta, lirinë e lëvizjes me letërnjoftim dhe njohjen e kualifikimeve profesionale për doktorë të mjekësisë, dentistë dhe arkitektë.
Fillimi i zbatimit të këtyre tri marrëveshjeve, konsiderohet si një hap i rëndësishëm për gjashtë shtetet e Ballkanin Perëndimor në drejtim të afrimit dhe bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshjet u nënshkruan më 3 nëntor në Berlin pas gati dy vjet negociatash. Hyrja e tyre në fuqi do të bëhet pas ratifikimit në parlamente nga të gjitha shtetet.























