Borrell: Modele për Asociacionin ka mjaft nëpër Evropë
BKT
Foto: BE
Lajme

Borrell: Modele për Asociacionin ka mjaft nëpër Evropë

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti me presidentin  Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ky i fundit u deklarua para mediave.

Borrell nuk pranoi ndonjë pyetje nga gazetarët,  por tha se sonte në bruksel, pati takim të nivelit të lartë, i pari që nga ai i Ohrit.

Pasi falënderoi emisarin Miroslav Lajçak që sipas tij ka bërë punë të rëndësishme, që nga takimi në Ohër, Borrell u shpreh se në Bruksel, është diskutuar për atë se si po zbatojnë marrëveshjet të dyja palët, të dakorduara në Bruksel e  Ohër.

“Besoj se i keni kushtuar vëmendje deklarimit tim të mëparshëm sonte, e ku pjesa në fund në një pikë të rëndësishme në aneksin e zbatimit të marrëveshjes  është gjetja dhe  identifikimi i mbi 1.600 të pagjeturve, për shkak të konfliktit, në mënyrë që tu jepet familjareve të tyre përgjigje”tha Borrell.

Sipas tij, nuk ka qenë e lehte të gjendet një zgjidhje,  por palët e kanë arritur një çështje tejet humanitare e cila nuk duhet të politizohet.

“Sepse shumë familje kanë vajtuar për kohë shumë të gjatë për të ditur fatin e më të dashurve të tyre”.

Ai tha se është koha përfundimtare për të përmbyllur këtë kapitull të rëndësishëm dhe shpreson  se këtë zotim do ta zbatojnë liderët që kanë bërë sot,  për të dyfishuar përpjekjet.

“Do të inkurajojmë palët që në Bruksel të vijnë me atë se si do ta zbatojnë këtë deklaratë”.

Ai tha se është me rëndësi se palët kanë marrë hap simbolik  të rëndësishëm drejt themelimit të Asociacionit të dakorduar para 10 viteve.

“Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbë të Kosovës, kanë prezantuar para palëve draft-statutin që nuk është përfundimtar për këtë Asociacion”, u shpreh Borrell.

Pasi rikujtoi se kjo bëhet në përputhje me nenin 7 të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, Borrell u shpreh se ky  prezantim është me rëndësi dhe se ky draft është vënë në tryezë.

“Kryeministri Kurti ndau para nesh këndvështrimin e tij për mbrojtjen e  komuniteteve në Kosovë. E siç mund të pritet, këndvështrimet mes palëve janë shumë të largëta për funksionimin e këtij Asociacioni dhe nuk është se kam pritur ndryshe sa i përket kësaj”, tha ai.

Borrell sqaroi se edhe pse nuk janë pajtuar tani, palët janë dakorduar  të vazhdojnë  bisedimet për Asociacionin duke pasur këtë draft si pikë fillestare.

“Dua të inkurajoj të dy palët të angazhohen dhe të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise të duhura, dhe procesi të duhet të bazohet nga marrëveshjet e kaluara dhe në përputhje me praktikat e  modelet evropiane, e të tilla ka shumë  në Evropë”, tha Borrell, duke përmendur faktin se modele për Asociacione mund të gjenden gjithkund në Evropë.

“ E këto do të duhej të merreshin parasysh gjatë negocimit”. 

Përfundon takimi Kurti-Vuçiq, do të deklarohet Borrell

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, deklaroi se do të jetë vetë shefi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, që do të deklarohet shkurtimisht para mediave.

Duke njoftuar se transmetimi do të jetë i drejtpërdrejtë, Stano rikujton se ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë, që nga marrëveshja e Ohrit.

Në këtë takim është njoftuar se palët kanë rënë dakord për deklaratën për zbardhjen e personave të pagjetur gjatë luftës.

Gjithashtu, paraprakisht është prezantuare dhe draft- statuti për Asociacionin, nga koordinatorja e Ekipit Menaxhues, Danijela Vujiçiq.

Pritet që para mediave të ketë deklarata të ndara nga kryeministri e Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përfundon takimi Kurti-Borrell/Lajçak-Vuçiq

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.Paraprakisht draft- statuti për Asociacionin, para palëve,  është prezantuar nga koordinatorja e Ekipit Menaxhues, Danijela Vujiçiq.

Gjithashtu, palët kanë rënë dakord edhe për deklaratën për zbardhjen e fatit të  personave të pagjetur gjatë luftës.

Siç njofton korespondetja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, pritet që para mediave të ketë deklarata të ndara nga kryeministri e Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por ndoshta edhe nga Josep Borrell ose Miroslav Lajçak.


MË SHUME NGA Lajme