Borrell kërkon zgjidhje për kthimin e serbëve në institucione
Jeton Musliu/RTKlive
Duke folur për rolin e BEsë në dialogun Kosovë-Serbi, shefi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell,pas përfundimit të takimit Kurti-Vuçiq, deklaroi se unioni do të lehtësojë procesin për të arritur në një marrëveshje përfundimtare.
Megjithatë, ai tha se në këtë takim një pikë e fundit e diskutimeve ishte më pak pozitive.
“Diskutuan për situatën aktuale në teren ku shpreha brengën tonë sa i përket gjendjes në veri të Kosovës”, tha Borrell, sipas të cilit, pas zgjedhjeve të fundit lokale atje dhe daljes në shkallë të ulët të qytetarëve serbë të Kosovës, është e qartë se ato nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate.
“E ndoshta është e kundërta, kanë potencial për të çuar drejt përshkallëzimit të situatës e minuar marrëveshjen e Ohrit”, tha Borrell.
Ai tha se shpreson që kjo të mos ngjajë sepse sipas tij, është një rrezik i madh.
“Kam inkurajuar që të dy palët të gjejnë zgjidhje që u mundëson serbëve të Kosovës të kthehen në institucionet që kanë braktisur”, tha ai.
Më tej, Borrell u shpreh se për këtë çështje, jo vetëm ai është i brengosur, por edhe të dy liderët pranuan peshën në teren dhe angazhimet e dy palëve, për të cilat tha se janë të domosdoshme për të shmangur rrezikun.
“Por fatkeqësisht liderët nuk arritën të bëjnë ndonjë zgjidhje sot e kam frikë se ndoshta mund të ballafaqohemi me ndonjë situatë kritike”, tha ai.
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, më tej u shpreh se bisedimet duhet të vazhdojnë shpejt.
“Duhet të vazhdojmë ta shfrytëzojmë këtë kornizë, të shtyjmë përpara këtë proces sepse kjo është e lidhur drejtpërdrejt me rrugën evropiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë”.
Ai njoftoi se Lajçak do të ftojë negociatorët e ekspertët në Bruksel së shpejti e do të fillojë diskutimet në takimin inaugurues me Ekipin e Përbashkët Monitorues.
“Ky ekip është krijuar me marrëveshjen e Ohrit dhe do të takohet këtë muaj e do të jemi në gjendje të shmangim ndonjë krizë tjetër që mund të rrezikojë zbatimin e marrëveshjes”.























