Mehaj e Banozhiq diskutuan edhe për ndikimin rus në Ballkan
BKT
Lajme

Mehaj e Banozhiq diskutuan edhe për ndikimin rus në Ballkan

RTKlive

Me rastin e pjesëmarrjes në ekspozitën dhe konferencën e ASDA (Adriatic Sea Defense & Aerospace), ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka takuar homologun e tij kroat, Mario Banozhiq, ku kanë nënshkruar Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes.

Përmes një komunikate për medie, bëhet e ditur se në këtë takim, të dy ministrat diskutuan për shumë çështje relevante me situatën aktuale gjeopolitike, duke përfshirë ndikimin rus në Ballkan, domosdoshmërinë e unitetit përballë tendencës për destabilizim dhe cenim të vlerave demokratike, investimin e përbashkët në fusha strategjike sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, me qëllim garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Gjithashtu, ministri Mehaj e ka falënderuar ministrin Banozhiq për mbështetjen e deritanishme nga ana e shtetit kroat dhe se përkushtimi do të jetë i fuqishëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm, ofrim të trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit si dhe të deminimit.

Nga ana tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes, shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarra nga ana e Kosovës për zhvillimin e ushtrisë e, po ashtu, faktin e ngritjes së kapaciteteve ushtarake përmes blerjeve direkte, shtet më shtet, në përputhje me standardet e NATO-s.

Ndër tjera, ministri Banozhiq garantoi mbështetje të pakursyer nga ana e Kroacisë për Kosovën dhe të ardhmen tonë evropiane.


MË SHUME NGA Lajme