Kadiu i reagon Stanos: Shkarkimi i Ekipit menaxhues, s`e shkel marrëveshjen
BKT
Foto: Klisman Kadriu/Facebook
Lajme

Kadiu i reagon Stanos: Shkarkimi i Ekipit menaxhues, s`e shkel marrëveshjen

J.Musliu/RTKlive

Vendimi për shkarkimin e Ekipit menaxhues për Asociacionin, nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë. Kështu ka deklaruar Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Reagimi i tij pason një deklarim të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, përkitazi me këtë çështje.

Stano sot gjatë ditës u shpreh se -“vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut”.

Ndërkohë, Kadiu akuzoi Stanon për njohuri të pamjaftueshme rreth situatës.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, u shpreh ai në rrjetin social Facebook.

Kadiu rikujtoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ekipin menaxhues, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

Duke ia rikujtuar Stanos se ai në shumë raste, kur bëhet fjalë për marrëveshjet që i shkel Serbia, u shmanget edhe pyetjeve, Kadiu përmedn rastin e fundit.

“Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë (Stano v.j) kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar Kadiu në Facebook.

Sipas Kadiut, detyra e vetme e Ekipit menaxhues ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.

“Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shtoi ai.

Ndërkohë, Stano më herët sot gjatë ditës, ka thënë se marrëveshjet e dialogut thonë qartë se Ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit.

Ai u shpreh se vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel frymën e marrëveshjeve të dialogut.

“Prandaj, vendimi për shpërndarjen e Ekipit menaxhues shkel letrën dhe frymën e marrëveshjeve të dialogut. Çdo vendim në lidhje me Ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano.


MË SHUME NGA Lajme