Gucati e Haradinaj kërkojnë mbrojtje të ligjshmërisë
RTKlive
Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë që i bie kundërshtim të vendimeve të marra nga shkallët e gjykatave të tjera.
"Pas kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë, të dorëzuara nga Gucati dhe Haradinaj më 2 dhe 3 maj 2023, Kryetarja Trendafilova caktoi sot Panelin e Gjykatës Supreme në përbërje prej Kryetarës Trendafilova (kryesuese) si dhe gjykatësve, Kristinë van den Vijngart dhe Daniel Fransen, për të vendosur lidhur me këto kërkesa", njoftojnë Dhomat e Specializuara.
Këtu mund të lexoni vendimin e caktimit të Paneli të Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Çështja ka të bëjë me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, sipas nenit 15(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj, respektivisht kryetar dhe nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Të dy të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.
Gucati dhe Haradinaj i dorëzuan njoftimet për apel ndërsa ZPS-ja ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të apelojë aktgjykimin e shkallës së parë. Seanca e apelit u mbajt më 1 dhe 2 dhjetor 2022. Aktgjykimi i apelit u shpall më 2 shkurt 2023: u shpall fajtor për pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës - u dënua me 4,5 vjet burgim dhe gjobë prej 100 eurosh.