RTK nis procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm|Video
Visar Shatrolli / RTK
Bordi i RTK-së ka marrë vendim për të nisur procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm të RTK-së, duke i hapur udhë kështu procesit të reformës në RTK.
Sipas drejtuesve të RTK-së, me këtë proces synohet më pak burokraci e më shumë prodhim.
Pas shumë vjetësh, Radiotelevizioni i Kosovës do ta nisë procesin e ristrukturimit dhe riorganizimit të brendshëm.
Kjo pasi Bordi i RTK-së ka aprovuar kërkesën e Drejtorit të Përgjithshëm për reformën e shumëpritur brenda mediumit publik.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se mes tjerash me këtë reformë do të mundësohet hapësira më e madhe prodhuese dhe zvogëlimi i burokracive në Televizionin Publik.
" Defektet kryesore që janë vejtur nga struktura aktuale organizative, ka të bëjë pikërisht me nivele të shumta menaxhimit dhe nivele të shumta të gazetarëve të redaktorëve dhe tjerëve, dhe ne synojmë që këtë ta reduktojmë dhe t’i japim më shumë peshë secilit pozicion dhe natyrisht kjo do të reflektohet edhe me përgjegjësin edhe nivelin e pagesës, po flasim për një strukturë e cila do ta bëjë më të dinjitetshme secilën pozitë në RTK dhe natyrisht që do të kemi më pakë pozita se sa që kemi për momenti...", tha drejtori Ahmetxhekaj.
Shkurtimi i buxhetit prej 2.2 milionë eurosh mund të jetë pengesë për reformë në RTK, për çka Ahmetxhekaj ka kërkuar nga Kuvendi, rritjen e buxhetit për të akomoduar nevojat që do të dalin nga kjo reformë.
Ndërkohë, kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka thënë se roli i roli i tij dhe anëtarëve të tjerë në këtë reformë do të jetë mbikëqyrës e finalizues gjatë gjithë procesit në funksionim më të mirë të RTK.
Boletini ka përmendur si sfidë të vazhdueshme çështjen e pronës dhe financimi të RTK-së.
Për këtë të fundit tha se dje kanë miratuar dy modele të mundshme të financimit të Televizionit Publik, të cilat ia kanë dërguar Kuvendit.
"Janë dy opsione që i kemi paraqitur aty. Njëra është përmes TVSH dhe përmes faturave të energjisë elektrike, njëkohësisht në një analizë të veçantë të cilën sot ja kemi dërguar kuvendit kemi paraqitur edhe shembuj të shteteve të tjera se qysh e kanë rregulluar këtë çështje. Gjithashtu sa i përket pronës i kemi miratuar dy modele, ne jemi kontakt edhe me Kuvendin dhe MPB dhe ka filluar puna rreth definimit të pronës...", tha Boletini.
Edhe kryetari i Bordit ka thënë se zvogëlimi i buxhetit në mënyrë drastike është sfidë më vete për Radiotelevizionin e Kosovës.























