Sveçla i reagon Qalajt: Rruga e vetme e MPB-së është luftimi i krimit
BKT
Lajme

Sveçla i reagon Qalajt: Rruga e vetme e MPB-së është luftimi i krimit

N.M /RTKlive

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Rashit Qalaj, pasi ky i fundit ka akuzuar Qeverinë Kurti për ndërhyrje në organet e drejtësisë, në këtë rast në Policinë e Kosovës.

Ai, në një postim në Facebok, tha se deklarimet e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës nuk janë qëllimmira, derisa u shpreh se deputeti i PDK-së ende mendon se Departamenti i Hetimeve duhet t'i raportojë atij. Ai ka shtuar se “rruga e vetme e MPB-së është luftimi i krimit”

“Mbase po duan të thonë se Departamenti i Hetimeve në Polici, e ato që janë për krimin e organizuar e korrupsionin duhet t’i raportojnë z. Qalaj ende? A çfarë është porosia e kësaj insinuate të thënë sot në Kuvend? Apo po duan të intimidojnë policët hetues që kryejnë punët e tyre? Padyshim që asnjë qëllim të mirë nuk e ka pasur sot ish Drejtori i policisë, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj”, shkruan Sveçla.

Sipas tij, takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlenë për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme.  Ne nuk kemi rrugë tjetër përveç asaj të luftimit të krimit. Dhe ne do ta ndjekim atë rrugë pashmangshëm. Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces”, thotë Sveçla.

Ai shton se për këdo që ka dilema në këtë, i vjen keq për ta, “është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm”.

“Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zmbrapsemi”, ka shkruar Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme