Kurti në Seul, takon ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon
BKT
Lajme

Kurti në Seul, takon ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon

RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Korenë e Jugut, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Japoni i cili mbulon edhe Korenë e Jugut, Sabri Kiçmari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka takuar ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Bëhet e ditur se në takim u fol për rolin që Ban Ki-moon kishte në procesin e shpalljes Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që kryeministri e njoftoi atë në lidhje me arritjet dhe zhvillimet në Kosovë që prej atëherë, e veçanërisht së fundmi.

“Kurti tha se në dy vitet e fundit Kosova ka shënuar zhvillim ekonomik dhe progres demokratik, që është njohur dhe vlerësuar edhe nga raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare. Më tutje kryeministri Kurti e ka njoftuar ish Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për procesin e integrimit të Kosovës në BE, kalimin me sukses të hapit të parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e falënderoi kryeministrin Kurti për takimin dhe vizitën e tij. Ai u shpreh se i gëzohet zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe është i interesuar që në një moment të volitshëm të vizitojë rajonin për të parë nga afër zhvillimet pozitive. Gjatë këtij takimi, Ki-moon ka përshkruar edhe rrethanat në OKB përgjatë procesit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.​

 


MË SHUME NGA Lajme