Heshtja e qeverisë për urën e Ibrit|Video
Edona Podvorica/RTK
Ekzekutivi, as pas një jave, nuk ka marrë vendim në lidhje me vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut, për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër. Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim për RTK-në, edhe njëherë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petër Stano, ka thënë kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut, që ata e ndërmjetësojnë.
Megjithëse e përkrahu vendimin e asamblistëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, për hapjen për qarkullim të urës mbi lumin Ibër, ekzekutivi as pas një jave, nuk ka marrë vendim në lidhje me këtë çështje.
Ani pse kërkesa është dërguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, zyrtarë të saj, përmes telefonit , kanë thënë se presin sinjal nga Ministria e Punëve të Brendshme.
E kjo e fundit nuk është përgjigjur në pyetjet zyrtare të RTK-së.
Ata që e votuan këtë dokument, të vetëdijshëm që ky vendim varet nga shumë faktorë, thonë se janë me sy e vesh nga Prishtina, Beogradi e Bashkimi Evropian.
“Të gjithë jemi të hutuar, dhe të gjithë jemi duke pritur, me sy kah Beogradi, Prishtina e Brukseli, sepse edhe ata e ndjejnë që qyteti duhet të jetë i lirë. 00:12:45 Komuna e Mitrovices se Veriut është komuna me e re me pakos se Ahtisarit, dhe shume gjera janë të lidhura me Mitrovicen Jugore, po edhe ketë uren këtu nuk e ruajnë policia e kosovës, por karabinieeret italian, prandaj ne jemi të vetedijshem që janë të involvuar dhe faktor të tjerë, por nisur nga prizmi qytetarë, nga nevojat e qytetarëve e kemi bo këtë kërkesë”, deklaroi Skënder Sadiku, zëvendëskryesues i Asamblesë Komunale në Mitrovicën e Veriut.
Ndërkohë, në një përgjigje me shkrim zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petër Stano, ka thënë kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogun që ata e ndërmjetësojnë.
Pavarësisht përpjekjeve lehtësuese të BE-së ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me Urën duhet të bëhet në kuadër të Dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja vazhdon t'u bëjë thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e Dialogut, pa vonesë, përfshirë edhe Marrëveshjen për Urën.
Eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku, thotë se aktualisht nuk ka kushte as politike as në aspektin e sigurisë për t’u hapur Ura e Ibrit.
“Hapja për qarkullim të Urës mbi lumin Ibër ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ani pse palët kishin rënë dakord që ura të hapët për qarkullim, ky vend mbetet simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve”, tha Fatmir Çollaku, ekspert i sigurisë.























